Gjykata i ka “harruar” mjekët e rastit “Stenta”

Procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, është drejt fundit. Planifikohen të mbahen gjithsej edhe tri seanca. Por, gjykata është shumë larg përmbylljes së procesit kundër dhjetëra kardiologëve të akuzuar në këtë rast, si dhe atij kundër përfaqësuesve të spitaleve të zemrës që akuzohen se jashtëligjshëm përfituan miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan sot Koha Ditore.
Një nga aferat më të mëdha që nga paslufta e njohur si afera “Stenta” është konkretizuar në qershor të vitit 2016 me aktakuzë. Pak seanca janë mbajtur brenda 30 muajve. Në shqyrtimin fillestar rasti ishte ndarë në tri pjesë: Stenat 1,2 dhe 3. Pjesë e “Stenta 1” janë të akuzuarit, ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.
