1 perditesime
20:59

Perteshi: Të rinjtë në FSK, më të përgatitur për pozitat që kanë se seniorët

Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se niveli i mesëm i ushtarakëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës është më mirë i trajnuar për pozitat që se niveli i lartë menaxhues në këtë institucion.

Sipas tij, niveli i mesëm po e dëshmon përgatitjen edhe me medaljet dhe sukseset ndërkombëtare.

Për dallim nga ta, sipas Perteshit, niveli i lartë nuk e ka përvojën e që kanë ushtritë në rajon dhe nuk janë ushtarakë të karrierës.

“Seniorët, kolonelë, nënkolonelë apo gjeneralë, nuk janë ushtarakë të karrierës, ndërsa niveli i mesëm është i trajnuar mirë. Në krahasim me nivelin e të rinjve që nga shkolla e mesme dhe fakulteti kanë filluar me edukimin ushtarak dhe kanë fituar grada duke qenë pjesë e strukturave, niveli senior nuk e ka atë përvojën që e kanë ushtritë e rajonit dhe nuk janë ushtarakë të karrierës”, ka thënë ai në Puls të KTV-së.

Në anën tjetër, zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë se menaxhuesit e FSK-së janë në nivelin më të mirë të duhur duke shtuar se këtë e dëshmon edhe fakti se FSK-ja është ndër institucionet më të besueshme në vend.

20:29

Transformimi i FSK-së në Ushtri shkon në Kuvend në dhjetor

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Haxhi Shala, ka thënë se ligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri mund të procedohen për lexim të dytë deri kah mesi i dhjetorit.

Sipas tij, gjithçka ka ecur sipas hapave të paraparë. I gjithë procesi, ka thënë, se mund të zgjasë edhe 20 ditë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani. Në Puls të KTV-së ai ka thënë se Ushtrua e Kosovës do të ketë 5 mijë ushtarë dhe krejt armatimin e rëndë për mbrojtjen e vendit.

Ai ka thënë se FSK-ja dhe KFOR-i do të bashkëpunojnë edhe pas këtij transformimi, teksa sipas Skender Perteshit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, KFOR-i i përgjigjet vetëm rezolutës 1244. Perteshi ka thënë se KFOR-i nuk i përgjigjet Kushtetutës së Kosovës.