1 perditesime
18:07

Haradinaj: Nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet

“Kushdo që dyshon se ne nuk do ta ndjejmë rrugën përpara, se nuk do ta dimë atë rrugë dhe nuk dimë t’i marrim veprimet e duhura, gabon. Nëse jo për tjetër, na mësojnë sot heronjtë këtu dhe na mëson e kaluara jonë. Ne jemi të vendosur që ta realizojmë të drejtën tonë, të drejtën e Kosovës, ashtu sikurse shqiptarët në trojet e veta do të realizojnë të drejtën e vet”.

Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historikë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, ngjarje kjo e organizuar në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nën patronatin e Kryeministrit.

Sipas njoftimit për media, fillimisht personalitetet e larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë, zbuluan dhe bën homazhe tek shtatoret e tre liderëve historik, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.

Kryeministri Haradinaj tha se vepra e sotme, shtatoret e heronjve, janë pjesë e përgjegjësive të marra nga Kosova në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të heroit tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Një vit më parë kur e kemi nisur këtë vit bashkë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kemi hartuar një plan veprimi dhe sot shohim njërën nga ato të arritura, shtatoret e heronjve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.

Para të pranishmëve të shumtë, personalitete të larta të Republikës së Shqipërisë, zyrtarë të institucioneve vendore, kryeministri Haradinaj ndërlidhi ngjarjet që kanë peshë në ditën e sotme, duke filluar nga Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut dhe porosia që dërgoi ai për popullin e vet, për Perandorinë e atëhershme Otomane, por edhe për kontinentin, pjesë e së cilës jemi.

“Ajo porosi nuk është shuar asnjëherë, por u rikthye fuqishëm këtu ku jemi sot, për shqiptarët edhe njëherë më 1878. Nuk u shua etja për liri dhe guximi për të luftuar për të drejtën tonë, dhe atë e gjejmë më 1912 në Vlorë, me Pavarësinë e Shqipërisë. Por, jo vetëm kaq. Nuk u shua në pjesën e atdheut të robëruar dhe ashtu sikur Skënderbeu në kohën e vet, ashtu sikur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, po ashtu edhe UÇK-ja e Kosovës, guxoi të dalë kundër perandorisë së atëhershme, pra perandorisë jugosllave, një perandori që me dekada i kishte shtypur shqiptarët padrejtësisht në trojet e veta”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se në ditën e sotme, e mira e kësaj porosie është se nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet.

Nga një fjalë, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historikë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, e kanë mbajtur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, udhëheqës fetarë, dhe shumë personalitete të tjera e qytetarë të Komunës së Prizrenit.

16:14

Vendosen shtatoret e tre drejtuesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në kryeqytetin historik

Janë vendosur sot në Prizren shtatoret e tre drejtuesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sulejman Vokshi.

Në përurim morën pjesë krerët e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Me këtë rast, kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sek ëto shtatore përjetësojnë momentin kur Prizreni, Frashëri e Vokshi bashkuan kombin përballë rreziqeve të kohës.

Ai tha se tash në Kosovë “janë kthyer tre baballarët e kombit, të cilët nisën rrugëtimin me idenë e lirisë dhe të shtetit kombëtar të shqiptarëve”.

Veseli po ashtu tha se kjo ditë “s’do të kishte këtë hijeshi, pa një histori tjetër të veçantë të kombit tonë, e cila ndodhi këtu e 21 vjet më parë, pra ballafaqimi i parë frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, e cila për herë të parë poshtëroi në mënyrë disfatiste ushtrinë dhe policinë serbe”.

“Sot ne shqiptarët kemi shtete, kemi liri, identitet e krenari, por kemi edhe partnerë, në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euro-atlantike. Do të vazhdojmë kështu si sot, të bashkuar, për të përkujtuar dhe lartësuar çdo herë veprat e atdhetarëve dhe baballarëve të kombit. Njëkohësisht, edhe për të dëshmuar se jemi të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për të gjitha sakrificat që janë bërë, si dhe për të ruajtur e çuar përpara amanetin e heronjve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme heronjve të atdheut”, tha ai.


Limaj: Shqiptarët do t’i nderojnë përjetë ata që trasuan rrugën e lirisë

Në prag të Festës Kombëtare të 28 Nëntorit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në qytetin historik të Prizrenit, së bashku me Qeverinë Shqiptare përuruam shtatoret e figurave të ndritura kombëtare; Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit.

“Këta tre burra të mëdhenj të kombit ishin ideatorët dhe burrështetasit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shqiptarët do t’i nderojnë përjetë e mot të gjithë ata që trasuan rrugën drejt lirisë”, ka thënë Limaj. “Përgëzime autorëve të këtyre shtatoreve të cilat zbukuruan qytetin e Prizrenit! Lavdi jetës dhe veprës të Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe gjithë delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ka shtuar më pas ai.