Policia e Serbisë, me kërkesë të Prokurorisë për krim të organizuar, ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiqin në lidhje me informatat e tij rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ka bërë me dije Ministri serbe e punëve të brendshme.
Nga Radojiçiq, Policia ka marrë deklaratën e tij në pajtim me kërkesën për mbledhje të informatave të nevojshme në lidhje me hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, liderit të Iniciativës Qytetare SDP, transmeton Koha.net.
Gazeta serbe “Blic” mëson se ai është duke u marrë në pyetje në Beograd, ndonëse Ministria nuk ka treguar.
Prokuroria serbe urdhëroi dëgjimin e Radojiçiqit pas deklaratës së Prokurorisë së Kosovës lidhur me përfshirjen e tij në vrasjen e Ivanoviqit.
LEXOJENI EDHE KËTË
Ky pretendohet se është aksioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e Radojçiqit
Kujtojmë se gjatë një aksioni policor të zhvilluar të premten në veri të vendit, ku u arrestuan 4 persona, Radojiçiqin Policia nuk kishte arritur ta gjente për ta arrestuar.
Ndërkaq dje, nënkryetari i Listës Serbe, në një deklaratë për media, tha se Policia e Kosovës nuk kishte shkuar për ta arrestuar atë, por për ta vrarë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.