Arbëri

Diskutohen përgjegjësitë e reja disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve

 

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka mbajtur një takim koordinues për të diskutuar zbatimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyrës së BE-së, kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të KGJK-së, drejtori i Sekretariatit të KPK-së dhe drejtori i Sekretariatit të KGJK-së.

Sipas komunikatës për media nga KPK, kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë se qëllimi i këtij takimi të përbashkët me përfaqësuesit e KGJK-së dhe partnerët ndërkombëtarë është diskutimi i hapave konkretë që kërkohen me ligjin e ri për zbatimin e suksesshëm të sistemit të ri të përgjegjësive disiplinore. “Transformimi i sistemit disiplinor kërkon parapërgatitje intensive për vendosjen e çështjeve të rëndësishme në binarë të duhur dhe për të bërë ndryshimin brenda afateve të përcaktuara kohore”, ka theksuar më këtë rast Hyseni.