Edhe pse mungojnë, MSH-ja e ka anuluar disa herë tenderin për barna esenciale

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 20 January 2019 19:19

Në periudhën kur QKUK-ja po vazhdon të përballet me mungesë të madhe të barnave, një tender i Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me barna të listës esenciale, ka dështuar për të tretën herë radhazi.

Në vendimin e OSHP-së të 17 janarit është refuzuar kërkesa e operatorit ekonomik “NTP-ICE&BM” me arsyetimin se ka kaluar 130 për qind të buxhetit për furnizim me barin Phenobarbital tableta 100 mg, raporton KTV.

Ky operator ekonomik, në ankesën e vet, pretendon se Ministria e Shëndetësisë është bazuar në kontratat e viteve të kaluara, e jo në çmimet e tregut.

Por, kjo ankesë nuk është marrë parasysh derisa Ministrisë i është rekomanduar që të shkojë në ritenderim.

Këtë e ka marrë parasysh, Ministra e Shëndetësisë, e cila tashmë ka kërkuar anulimin e këtij tenderi.

Në një përgjigje për KTV-në, thuhet se kanë pasur të paraparë për shpenzim buxhetin prej 4 mijë e 10 eurosh, ndërsa oferta e kompanisë ka qenë 9 mijë e 624 euro, që do të thotë se ka pasur tejkalim të buxhetit prej 130 për qind.

Ministria më tutje ka paralajmëruar rishpalljen e tenderit për të plotësuar nevojat e njësive kërkuese shëndetësore.

E derisa Ministria ballafaqohet me probleme të tilla procedurale për furnizim me barna, në QKUK po vazhdon mungesa e madhe e tyre.

Qytetarët tregojnë se shumicën e gjërave të kërkuara, u duhet t’i blejnë vetë për t’u shëruar.

Zyra e drejtorit të SHSKUK-së, përmes e-mailit ka bërë të ditur që furnizimi momental me barna është 68 për qind, ndërsa furnizim për material shpenzues është 60 për qind, si dhe me citostatikë 62 për qind.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme