1 perditesime
10:21

Jasharaj: Marrëveshja e re na afron shumë te kërkesat tona

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj është ndarë i kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

SBASHK-u ka vendosur ta ndërpresë grevën në arsim, pasi sipas Jasharit marrëveshja e re i afron shumë te kërkesat e tyre, raporton KTV.

“Marrëveshja e re na afron shumë te kërkesat tona”, ka deklaruar Jasharaj në konferencë për media.

Derisa Haradinaj thotë se është i vetëdijshëm për shqetësimin që ka shkaktuar përgatitja e Ligjit për Pagat.

“Jemi pak orë para votimit të Ligjit për Pagat. Jam i vetëdijshëm që përgatitja e këtij ligji i ka shqetësuar të gjithë që paguhen nga buxheti i shtetit”, ka thënë ai.

Derisa Veseli ka falënderuar kryeministrin dhe kryetarin e SBASHK-ut, dhe ka deklaruar se, “jam i lumtur që nxënësit do t’i kthehen mësimit të hënën”.

Pas një marrëveshje që palët sot kanë arritur nxënësit do t’i kthehen mësimit të hënën.

09:30

“Urime mësimdhënës dhe nxënës të dashur, mësimi fillon të hënën”

“Urime mësimdhënës dhe nxënës të dashur! Mësimi fillon të hënën”. Ky është mesazhi që ka dhënë në facebook, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli ka arritur që në një takim në kabinetin e tij në Kuvend të bindë sindikatën e arsimit të ndërpres grevën dhe nga e hëna mësimi të fillojë.

Veseli thotë se ka siguruar që shumë shpejtë rritja do të shkojë deri në nivelin e premtimit që u kishte dhënë më parë.

Në fotografinë e postuar nga Veseli, duket edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj, kryeministri Ramush Haradinaj, e të tjerë.

Më vonë, edhe kryeministri Haradinaj shkroi në Facebook se“Sot, në takim me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut përfunduam marrëveshjen me sindikatat dhe u dakorduam që mësimi të fillojë të hënën. Dialogu ynë do të vazhdojë në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor në vend. Urime nxënës!”.

Kujtojmë se kjo ishte java e tretë e grevës në arsim.