2 perditesime
20:49

Pupovci: UP-ja t’u kushtojë më shumë vëmendje punimeve kërkimore të stafit akademik, ato mund të blihen

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, në Universitetin e Prishtinës duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje punimeve kërkimore të stafit akademik.

Ai ka thënë se ka mundësi që të blihen punime të tilla. Sipas tij, kjo mund të jetë formë e re e mashtrimit.

“Ka mundësi që të blihen punimet. Kam dyshime personale. Ekziston statuti në UP që kërkon që secili anëtar i stafit akademik të raportojë një herë në vit për punën e vet kërkimore dhe kjo është mirë të përcillet. Kam identifikuar një numër të vogël (punime të blera)dhe ato janë në nivel të dyshimeve të cilat unë nuk i kam ngrit meqë nuk jam i asaj fushë, por konsideroj që është diçka që kërkon vëmendje meqë mund të jetë formë tjetër e mashtrimit në të ardhmen”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

20:25

Bytyqi: Rektorati i UP-së e konsideroi ndërhyrje ftesën tonë për profesorët e jashtëm

Image

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se thirrja e ministrisë për angazhim të profesorëve shqiptarë që punojnë në universitete tjera të botës të angazhohen në Universitetin e Prishtinës, u konsiderua si ndërhyrje nga rektorati i UP-së.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se shpenzohen miliona për staf të angazhuar në UP, e që sipas tij, lë për të dëshiruar.

“Flasim për miliona që shpenzohen në një staf të angazhuar që ky staf gjithmonë e ka një pikëpyetje, të lë për të dëshiruar se sa është i përgatitur për t’u ofruar studentëve tonë atë që e presin. Ne kërkuam kur u shpall konkursi në UP që të ketë angazhim të stafit profesional. Bëmë një thirrje publike që gjithë profesorët tonë që mund të jenë nëpër universitetet e botës të aplikojnë në UP dhe të bëhen pjesë e Universitetit me qëllimin e vetëm që të ngrihet standardi i cilësisë”, ka thënë Bytyqi.

Ai tregon se kjo u konsiderua si ndërhyrje nga rektorati i UP-së.

“Ndoshta ka qenë edhe emocionale dhe e momentit edhe pse ishte thirrje transparente dhe publike. Kishim edhe takime me rektorin ku ne si ministri kishim shpreh gatishmëri që të bëjmë një strategji për thithjen e trurit që e kemi jashtë vendit dhe në mënyrë që unë pastaj ta prezantoj në qeveri që të gjendet një mundësi për stimulimin e këtyre profesorëve që të kthehen në UP”, ka shtuar më tej ai.

20:08

Pupovci thotë se politika përpiqet ta vërë nën kontroll UP-në

Image

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se politika është përpjekur në 20 vjetët e fundit që të vë nën kontroll Universitetin e Prishtinës, duke ndikuar edhe në përzgjedhjen e stafit akademik.

“Strukturat politikë në këto 20 vitet e fundit kanë dashur ta vënë nën kontroll ose më mirë të themi ta kenë nën kontroll institucionin dhe ka ndodh që dëmet janë shkaktuar që nga përzgjedhja e stafit akademik pasi që në mesin e stafit akademik kemi njerëz që kanë ardhur me ndikim politik. S’do të thotë që secili që vjen nga politika është edhe i padobishëm por kemi një numër të konsiderueshëm të rasteve që kjo është bërë që ta vënë nën kontroll”, ka thënë Pupovci.

Në Rubikon të KTV-së, ai përmendi edhe regjistrimin e studentëve, me theks të veçantë ata të kategorisë së luftës dhe kjo sipas Pupovcit, ndodhi për shkak të parregullsive.