1 perditesime
11:32

Topalli: Dëbimi i shtetasve turq, shkelje drastike e të drejtave të njeriut

Ka përfunduar takimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku kryetari i sapozgjedhur i këtij komisioni, Faton Topalli, ka thënë se është diskutuar plani i punës.

I pyetur për rastin e dëbimit të shtetasve turq, Topalli ka thënë se bëhet fjalë për një shkelje drastike të të drejtave të njeriut.

“Çështja e ‘gylenistëve’ është trajtuar në Kuvendin e Kosovës, është krijuar edhe një komision hetimor parlamentar, kështu që rezultatet e këtij komisioni dihen. Unë personalisht mendoj që fjala ka qenë për një shkelje drastike, po flas qëndrimin tim si deputet, është shkelje drastike e të drejtave të njeriut”, tha ai, raporton Ksp.

I pyetur se si PSD a do të ishin pro që t’i zgjatej mandati Komisioni hetimor për rastin e turqve të dëbuar nga Kosova, ai tha se PSD-ja në parim është për zgjatjen e mandatit.

10:28

Topalli në Komisionin për AKI: Çështjet e përgjithshme do t’i vendos para atyre partiake

Ka filluar punimet Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Fillimisht, zëvendëskryesuesja e këtij komisioni, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ia ka dorëzuar kryesimin e komisionit deputetit të PSD-së, Faton Topalli, i cili tash e tutje do ta udhëheq këtë komision, raporton Koha Ditore.

Para deputetëve, Topalli ka thënë se do të angazhohet që çështjet e përgjithshme, që janë me rëndësi për vendin t’i vendos para atyre partiake.

Ka thënë se ky komision është i rëndësisë së veçantë.

Pas kësaj, mbledhja është mbyllur për media, ashtu siç ndodhë zakonisht. Aty pritet të diskutohet për planin e punës së komisionit për këtë vit. Ndërkohë, deputetët pritet të deklarohen para gazetarëve pasi të përfundojë mbledhja.