11:19

Devolli thotë se me ish-kryeshefat e PTK-së ka pasur vetëm takime njoftuese e “të ftohta”

Është duke vazhduar dëshminë e tij para trupit gjykues biznesmeni, Blerim Devolli. Ai ka thënë se nuk i kujtohet asnjë detaj në lidhje me kontratën me Telekomin.

Ka thënë se me tre ish-kryeshefët ka pasur vetëm nga një takim. Me ish-kryeshefin, Shyqri Haxha ka thënë se është takuar vetëm kur e kanë nënshkruar kontratën ndërsa me ish-kryeshefët Ejup Qerimi e Agron Mustafa thotë se është takuar vetëm nga një herë dhe takimet kanë qenë njoftuese, raporton Koha Ditore.

“Takimet kanë qenë të ftohta.... normale”, ka thënë Devolli.

Pas kësaj deklarate, prokurori special Naim Abazi po e përballë me pyetje.

“Në deklaratën e dhënë ke thënë që kryeshefi Ejupi Qerimi të ka thënë unë jom baba e ti je djali.... takimi ka eskaluar me ofendime. Jemi detyruar me lëshu takimin”, ka qenë fjalia që prokurori Abazi e ka përballur dëshmitarin Devolli.

Blerim Devolli pas kësaj e ka ‘arsyetuar’ ish-kryeshefin Qerimi.

“Ai ka mendu që ne i kemi borxh... kur janë mbledhë grupet punuese ka dalë që nuk i kemi borxh njeri tjetrit”, ka thënë ai.

Devolli është takuar edhe jozyrtarisht me të akuzuarin Rexhë Gjonbalaj që ka qenë kryesues i Bordit të Telekomit.

“Na jemi të Pejës të dy... e kom taku për kafe në Princ Caffe”, ka thënë ai. Devolli është pyetur nga Ramiz Krasniqi, avokati i Ejup Qerimit se çka nënkuptojnë ‘raportet e ftohta’.

Ai nuk ka pranuar të përgjigjet me arsyetimin se “E keni në deklaratën e dhënë në polici”, ka thënë Devolli.

10:03

Blerim Devolli sot dëshmon në gjykimin kundër ish-kryeshefave të PTK-së

Ish kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj dhe dy ish kryeshefët e kësaj kompanie publike Agron Mustafa e Ejup Qerimi për të dytën herë kanë rifilluar përballjen me akuzat e prokurorisë.

Pas vendimit të Apelit që pavarësisht një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Themelore për ta hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre, gjykimi ka rifilluar sot, raporton Koha Ditore.

Image

Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u ngarkohen nga Prokuroria Speciale.

Në seancë janë të pranishëm të tre të akuzuarit dhe prokurori special, Naim Abazi. Si palë e dëmtuar në seancë është i pranishëm edhe biznesmeni Blerim Devolli pronar i Z-Mobile dhe drejtori i kësaj kompanie Milot Gjikolli.

Në këtë seancë sot pritët të japin dëshmi këta dy të dëmtuarit Devolli dhe Gjikolli dhe dëshmitarët Valon Zhuniqi e Valbona Tahiri.