9 perditesime
19:48

Kuvendi vendos për mbylljen e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë e Kosovës

Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit. Kësisoj Kuvendi ka vendosur që të mbyllë të gjitha lojërat e fatit në vend, përfshirë Lotarinë e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të vijë me një ligj të veçantë për Lotarinë e Kosovës.

“Arberie Nagavci  e ka pas një amendament për Lotarinë e Kosovës meqenëse ligji i kthen lojërat e fatit në nivel zero. Ky amendament është tërheq ne komision po në anën tjetër për me qenë korrekt, Lotaria e Kosovës është anëtare e Asociacionit Evropian të Lotarive, pra ne  kemi thënë se është dashtë Qeveria si çdo Qeveri e vendit tjetër të vijë me një ligj të veçantë për Lotarinë e Kosovës. Ky mundet me qenë vetëm vendim i Qeverisë por në nivel të Kuvendit i kemi kthy të gjitha lojërat e fatit në pikën zero”, ka thënë ai.

Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, tha se komisioni që ajo udhëheqë ka mbajtur mbledhje, mirëpo nuk kanë dalë me një rekomandim.

“Ne kemi diskutuar për afër një orë por ka pasur dilema për licenca dhe tash u njoftova se licencat janë pa afat, duke pasur parasysh disa diskutime dhe disa çështje për Lotarinë e Kosovës, ne nuk kemi rekomanduar asgjë”, ka thënë ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate dhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, Bilall Sherifi, ka thënë se arsyeja pse ky komision ka dalë pa rekomandim është sepse duhet takim me ministrin e Financave dhe me akterë të tjerë, në mënyrë që të japin rekomandime.

“Deputetet kanë të drejtë të votojnë bash çka të duan. Ne kemi shiku se a ka shkelje në rrafshin ligjor. Ne kemi nevojë si komision që ta kemi në takim ministrin e Financave e akterë të tjerë që të dalim me rekomandim”, ka thënë ai.

19:06

Kusari-Lila: Lojërat e fatit do të lulëzojnë ilegalisht

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në debatin që është mbajtur për lojërat e fatit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, është shprehur se asnjë nga lojërat e fatit nuk mund të mbyllen për një orë dhe se pas kësaj ato do të lulëzojnë ilegalisht.

Ajo theksoi se çdo ligj i miratuar në shpejtësi, i është kthyer Kosovës bumerang dhe për këtë arsye nuk duhet vazhduar në këtë formë.

“Kemi me pasur lojëra të fatit që kanë me vazhduar në mënyrë ilegale, kanë me u vazhduar dhe gjitha aktivitetet në formë ilegal, kemi me pasur një Ministri të Punëve të Brendshme jo kompetente për me i ndjek ata që ilegalisht, po merren me lojërat e fatit. Shpejtësia është prodhim i dreqit”, tha ajo.

18:58

Zeka: Nuk do ta votoj ligjin që dëmton 15 mijë familje

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, Milaim Zeka në debatin që është duke mbajtur për ndalimin e lojërave të fatit, ka thënë që ai nuk do të votojë një ligj të tillë, duke thënë se kjo do t’i dëmtojë 15 mijë familje, pasi familjarët e tyre mbesin pa punë.

“Ja kemi larguar buxhetit të Kosovës 30 milionë euro, që me ato kishim bë çdo fshat të Kosovës nga 1 çerdhe, i kemi dërguar mesazh botës së badihava nxjerr licenca për një biznes, sepse qeveria me deputetë bëjnë rezolutë dhe ta marrin licencën”, ka thënë Zeka.

“Ju bëj ftesë deputeteve, reflektoni mendoni, mos të votojmë një ligj që është antibiznes, antiligjor që i len pa papunë 15 mijë qytetarë të Kosovës. Unë kurrë nuk e votoj një ligj të tillë”, tha ai.

17:57

Kalon në parim Projektligji që ndalon lojërat e fatit

Ka kaluar në parim projektligji për ndalimin e lojërave të fatit, me 60 vota pro e tri abstenime.

Në orën 18:30 do të jetë seanca e radhës për t’u shqyrtuar në lexim të dytë projektligji për ndalimin e lojërave të Fatit, raporton KTV.

17:20

Abdixhiku i kërkon Qeverisë sqarime shtesë rreth Lotarisë së Kosovës

Në seancën e jashtëzakonshme që është duke u mbajtur për lojërat e fatit, u vendos të shmanget rregullorja dhe afatet procedurale për shqyrtimin e parë dhe të dytë të Projektligjit për ndalimin e lojërave të fatit.

Kuvendi mori vendim fillimisht që shqyrtimi i parë i projektligjit dhe pas miratimit t’i dërgohet komisionit përkatës në mënyrë që shqyrtimi i dytë të bëhen prapë sot në ora 18:00.

Në emër të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku kishte paqartësi rreth neneve për Lotarinë e Kosovës, se a duhet shfuqizuar gjithë ligji për nenet e Lotarisë së Kosovës apo vetëm nenet e lojërave të fatit.

“A po e shfuqizojmë dhe Lotarinë e Kosovës, a po e mbajmë Lotarinë? Nëse e mbajmë Lotarinë e Kosovës, atëherë në ligjin e ri duhet shtuar nenet e Lotarisë së Kosovës ose po e bëjmë proces ndryshimin e ligjit aktual dhe i shfuqizojmë vetëm nenet e lojërave të fatit. Këto dy gjëra është mirë qeveria t’i qartësojë”, tha ai.

16:28

Shtyhet sërish seanca e Kuvendit për lojërat e fatit

Në mungesë kuorumi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj për të diskutuar për projektligjin për Lojërat e Fatit është shtyrë sërish.

Tash është shtyrë për orën 16:35, ndonëse nisja e saj ishte paraparë në ora 16:00.

14:47

Kuvendi pauzon deri në orën 16 për të nisur seanca për lojërat e fatit

Seanca për Arsim ka përfunduar, e një numër i madh i deputetëve, ishte i pranishëm në Kuvend deri pak minuta para se të niste seanca e thirrur për në orën 14:00. Por, pak para se të niste seanca e re për lojërat e fatit, ata u larguan nga Kuvendi.

Seanca u shtye për në orën 16:00. Kjo u bë me kërkesë të kryesuesit Xhavit Haliti pasi pati mungesë kuorumi.

Në orën 16:00, do të nisë seanca e re për lojërat e fatit. Këtë seancë e ka kërkuar kryeministri Ramush Haradinaj.

“Në përputhje me nenin 69 kam kërkuar seancë të jashtëzakonshme ku paraqesim projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit ku kërkohet që qeveria të nis procedurat për pezullimin e të gjitha lojërave të fatit Me këtë projektligj ndalohen lojërat e fatit, andaj ju propozoj ta votoni këtë projektligj për përforcime të sigurisë publike”, tha Haradinaj.

14:40

Berisha – Jasharit i drejtohet me “debill” e “injorant”, i thotë se gjendjen në arsim e ka kthyer në kaos

Këto janë fjalët e rënda të deputetit Berisha për Rrahman Jasharin

Deputeti nga radhët e Nismës, Zafir Berisha, është shprehur me fjalë të rënda ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, sot në seancën që po zhvillohet.

Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për orët e humbura në arsim, e cilësoi kreun e SBASHK-ut një “debill” që shet mend para opinionit publik, ndërsa vetë e ka pagën shumë të lartë, raporton kosovapress.

“Ky ‘debill’ që ka bërë kaos në gjendjen në arsim, nuk ia ka shkel të drejtat fëmijëve, ndërsa ata që zbatojnë ligjin dhe veprojnë në përputhje me përgjegjësitë po iu shkelkan të drejtat. Megjithatë dua të dal në mënyrë kronologjike se si kjo sindikatë e udhëhequr nga një injorant i sojit të veçantë me një grumbull injorantësh rreth vetes. Së pari duhet solidarizuar me kolegët e vet, rreth tridhjetë mijë intelektualë, të identifikohet me një njëri që vetëm kur e sheh si fotografi është ofenduese, kjo është pa koment. Sido që të jetë, ai duhet të tregohet me vepra para punëtorëve të arsimit dhe jo vetë të marrë pagën më të lart se të deputetit dhe ministrit, dhe çdo ditë shet mend para opinionit”, tha Berisha.

12:56

Kuvendi propozon që orët e humbura mësimore të zëvendësohen në fund të qershorit

Çështja e qëndrimeve të kundërta të MASHT-it dhe SBASHK-ut, lidhur me kompensimin ose jo të orëve të humbura gjatë grevës 3 javore në arsim, ka çuar në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Kosovës.

Në këtë seancë u diskutua për një zgjidhje të mundshme për këtë çështje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, duke propozuar që këto orë të zëvendësohen në fund të vitit shkollor.

Teksa ka shtuar se Kuvendi mund të autorizojë Komisionin Parlamentar për Arsim që të takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të SBASHK-ut për të gjetur një zgjidhje rreth kompensimit të orëve të humbura, raporton Kosovapress.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se ideja është që të gjendet një rrugë për të dalë nga kjo gjendje, ku MASHT-i ka vendosur që të zëvendësohen orët e humbura, kurse SBASHK-u ka refuzuar me ngulm një gjë të tillë.

Ai ka folur për rëndësinë e madhe që ka kompensimi i orëve për nxënësit, ku përmes një krahasimi ka hedhur poshtë refuzimin e SBASHK-ut, duke thënë se të gjithë arsimtarët e dinë se orët e mësimit nuk barazohen me orët e punës në një fabrikë.

E, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se plotësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së punëtoreve të arsimit po bëhet një sfidë më vete.

Sipas tij, Ligji për Grevën u jep të drejtë grevistëve për të mos vuajtur pasoja për veprimin grevist, por shtoi se është i sigurt se asnjë mësimdhënës nuk e konsideron pasojë ofrimin e dijes për fëmijët.

Nga seanca e Kuvendit, Bytyqi ka kërkuar nga SBASHK-u që të reflektojë, në mënyrë që të mos u mohohet fëmijëve ajo që u takon, e që është programi i plotë arsimor.

“E tërë kjo është një kosto të cilën do ta paguajmë të gjithë si shoqëri. Në asnjë mënyrë nuk besoj se një mësues mund ta dëmtojë nxënësin e tij duke e privuar atë nga një pjesë e programit mësimor. Ky privim rrezikon të thellohet në dëm të shkollarëve, sepse SBASHK-u tashmë po e sheh çështjen thjeshtë në dimensionin e dinjitetit vetanak karshi masës që përfaqëson. Tashmë, ne jemi në një rrethanë jo të mirë. Ambiciet tona për arritshmëri cilësie nuk mund të përmbushen duke mosrealizuar programet mësimore. Arsimi nuk është vendi ku kushdo nga palët do duhej të tregojë muskujt. Si drejtues i dikasterit të arsimit, unë nuk do mund të pajtohem asnjëherë për ta quajtur të mbyllur një vit shkollor me program mësimor të parealizuar... E thërras SBASHK-un që të reflektojë”, u shpreh ai.

Seanca e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve mësimore po vazhdon, ku po zhvillohet një debat nga deputetët e pranishëm në këtë seancë.

11:31

Seanca për Arsimin nis me një minutë heshtje për viktimat e masakrës së Izbicës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka nisur seancën për arsimin, por shumë pak deputetë janë në sallë.

Seanca ka nisur me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Izbicës.

Seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga Nisma.