Bizneset kërkojnë përfshirje më të madhe në hartimin e politikave në sektorin e shëndetësisë

Në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe anëtarët e Komitetit të Kujdesit Shëndetësor të Odës Amerikane u diskutua rreth krijimit të një sistemi të sigurimeve shëndetësore, rëndësisë së tij në vend, si dhe nevojën për një përfshirje më të madhe të bizneseve në hartimin e politikave në këtë sektor.
Ministri Ismaili konsideroi se vazhdimi i komunikimit të mirëfilltë mes sektorit publik dhe privat në procesin e hartimit të politikave në shëndetësi është i rëndësisë primare për sigurimin e zbatueshmërisë së këtyre politikave në vend. Ai potencoi se mungesa e një sistemi të sigurimeve shëndetësore ka rezultuar në kosto të larta për qytetarët por gjithashtu ka ndikuar edhe në vështirësimin e operimeve të institucioneve publike shëndetësore.
