Arbëri

Lëvizja Vetëvendosje regjistrohet në Gjykatën e Tiranës si Qendër

 

Javën e kaluar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë vendimin për ta miratuar regjistrimin e Qendrës “Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri” me statusin e organizatës jo fitimprurëse (OJF). Kjo u bë e ditur përmes një komunikate nga kjo parti.

“Ky akt është vazhdimësi e aktivitetit tonë disa vjeçar në Republikën e Shqipërisë, por tashmë në një formë të re. Në qëllim dhe motiv, në parim dhe veprim, përmes këtij themelimi ne do të angazhohemi për aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar, ashtu siç shprehet edhe në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bashkë me përpjekjen për një shtet zhvillimor që lufton pabarazitë e mëdha ekonomike qe janë krijuar. Frymëzimi ynë rrjedh edhe nga përfytyrimi i të ardhmes për vendin tonë, si vend që ia mundëson grupeve e shtresave të ndryshme shoqërore dhe individëve shpërthimin e potencialeve të tyre, duke zhvilluar e mbrojtur ekonominë e përbashkët dhe atë individuale me drejtësi, demokraci, transparencë dhe përgjegjësi në vendimmarrje”, thuhet në komunikatën e LVV-së.