Berlin, 29 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me bashkatdhetarët tanë në Berlin, ku po qëndron për të marrë pjesë në takimin e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai me këtë rast ka vlerësuar angazhimin dhe rolin e madh që diaspora jonë në Gjermani ka luajtur nëpër të gjitha proceset në të cilat ka kaluar vendi ynë.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Gjermania ka ofruar trajtim dhe mikpritje për njerëzit tanë në kohërat më të vështira sociale, ekonomike dhe të sigurisë dhe ka shprehur bindjen dhe angazhimin e institucioneve që këtë gjest miqësor të këtij vendi mik ta vlerësojmë dhe respektojmë gjithnjë.
“Andaj ju falënderoj ju dhe shtetit gjerman që po vazhdon të mbajë qëndrim konsistent, që të mos dëmtohet integriteti territorial dhe shtetësia e Kosovës. Vizita zyrtare në Berlin dhe ky takim është rast i mirë ta forcojmë lidhjen tonë bilaterale që e kemi Kosovë - Gjermani. Sfida dhe vështirësi kemi mjaft, por Kosova do të ecë përpara dhe besoj që edhe nga ky takim i sotëm do të dalim edhe më të konsoliduar si Kosovë, në planin rajonal dhe global”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu kryeministri Haradinaj ka theksuar se diaspora jonë ndër vite ka qenë shtyllë e konsolidimit të shtetësisë së vendit, përkrahje e parezervë e ekonomisë tonë dhe tani, model i suksesit dhe të arriturave.
“Si kryeministër i vendit ndjehem krenar kur shoh futbollistë të ligave europiane, pushtues të top listave muzikore, arkitektë, artistë, inxhinier, mjekë, ndërmarrës të zot, që jo vetëm na bëjnë krenar për suksesin e tyre individual, por i japin paraqitjen e merituar shtetit të Kosovës, duke e lartësuar flamurin dhe identitetin tone”, shtoi kryeministri Haradinaj duke thënë se falë tyre, bota e njeh realitetin tonë, realitetin që populli ynë ndan aspiratat dhe vlerat njëjta europiane.