2 perditesime
18:18

Ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” në holl të Kongresit amerikan

Më poshtë, gjeni disa fotografi nga ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” që është hapur sot në holl të Kongresit amerikan dhe në sallë ku po mbahet takimi për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, raporton Koha.net.

Image

Image
Image
17:20

Engel: Është shokuese se si askush nuk është dënuar për krimet në Kosovë

Kongresisti amerikan Eliot Engel, derisa ka folur për Gjykatën për Drejtësi, ka thënë se është shokuese se si askush deri sot nuk është dënuar për krimet dhe dhunën seksuale në Kosovë.

Image

“Është shokuese se si askush nuk është dënuar për shumë krime e dhunë në Kosovë”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë mund të kishin bërë më shumë presion për drejtësi për viktimat e brutalitetit të Millosheviqit. Mirëpo për pjesën më të madhe ne kemi dështuar në këtë drejtim. Sikur të mos mjaftonte kjo, sipas mendimit tim, SHBA-ja ka shtyrë Kosovën që të krijojë të ashtuquajturën Gjykatë Speciale për të adresuar pretendimet për vepra të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Kjo gjykatë është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Engel e ka konsideruar një situatë të tillë të pabalancuar dhe është zotuar se Komiteti që drejton ai “do të monitorojë këtë gjykatë prej së afërmi për të parë nëse do të ndëshkohen të gjithë kryesit e krimeve të pretenduara nën juridiksionin e saj dhe jo vetëm shqiptarët”.

Në Kongres po raporton edhe Ilir Bytyçi, vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçit që u vranë mizorisht nga forcat serbe në vitin 1999, raporton Koha.net.

Ai ndër të tjera ka thënë se Serbia nuk po bashkëpunon fare rreth këtyre rasteve me Kosovën.

17:01

Krasniqi e Jahjaga po dëshmojnë para Kongresit për dhunën seksuale gjatë luftës

Vasfije Krasniqi-Goodman, rrëfeu para Kongresit Amerikan për dhunën që përjetoi nga dy burra serbë kur ishte vetëm 16 vjeçe.

Image

Në Kongres Krasniqi-Godman ka shkuar me ftesë të kongresistit amerikan, Eliot Engel, transmeton televizioni publik.

Në Kongresin amerikan po merr pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila për momentin është duke raportuar për viktimat e dhunës seksuale. 


“Me 14 prill, kur isha vetëm 16 vjeçe, një zyrtar i policisë serbe po kërkonte babanë tim dhe vëllezërit e mi. Ishim vetëm unë, nëna, tezja dhe disa kushërira. Na kërkuan letërnjoftimet dhe mua më thanë të shkojë në stacion policor. Nëna ime tha që ta marrin atë dhe të më lënë mua. Më hodhën në një dysheme, bërtita, ai më dhunoi. Më kujtohet gjithçka. Unë I kërkova të më vriste. Ai më tha jo, ‘ sepse kështu do të vuash më shumë”, është shprehur ajo.

“Më nxori nga automjeti dhe më çoi në një shtëpi ta pameremetuar. Aty më dhunoi një tjetër, ishte plak. Pastaj më çuan në fshatin tim dhe më lanë në rrugë”, ka rrëfyer më tej Krasniqi.

Ajo tregon se pasi u dhunua, shkoi në shtëpi dhe policët serbë i kishin kërkuar të mos u tregoj familjarëve.

“Nuk doja të shkoja në shtëpi sepse nuk doja t’iu tregoja se çka më ka ndodhur. Policët serbë më mësuan që t’iu them kam dëshmuar. Por, kur arrita në shtëpinë e axhit tim nuk kisha nevojë të flisja sepse gjendja ime dihej”,

Tash Krasniqi thotë se kërkon drejtësi për atë që i ndodhi, ashtu siç kërkojnë edhe 20 mijë viktima seksuale shqiptare gjatë luftës.

Engel e ka falënderuar Krasniqin që ndau historinë e saj të dhimbshme dhe e ka përgëzuar për guximin e treguar për të mos heshtur ndaj krimeve dhe dhunës së forcave serbe.