6 perditesime
21:52

Mustafa deklarohet për zgjedhjet e brendshme në LDK

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në Rubikon të KTV-së ka folur për zgjedhjet e brendshme në partinë e tij.

Ai ka thënë se të gjithë kanë të drejtë të kandidojnë, por ka shtuar se më mirë është që në këtë fazë të merren vetëm me zgjedhjet në degë e nëndegë.

“Kur të përfundohet kjo, pastaj çdo njëri e ka rrugën hapur, por s’mund të garantojmë kush mund t’i marrë votat për të hyrë në proces të votimit të fshehtë e kush jo sepse është çështje e delegatëve që vijnë nga degët e LDK-së”, ka thënë ai duke iu drejtuar zyrtarëve të kësaj partie Lutfi Haziri e Vjosa Osmani që janë bërë pjesë e debatit për kryetar të partisë.

21:25

Sipas Mustafës, në këtë qeveri ka garë se cili partner po bën më shumë për regjionin e vet

Partnerët e koalicionit qeverisës në Qeverinë Haradinaj, sipas Isa Mustafës së LDK-së, po shtyhet se kush po ndërton më shumë për regjionin e vetë.

Sipas tij, autostrada e Dukagjinit mund edhe të mos ndërtohet kur në Kosovë ka aq shumë për t’u bërë në shëndetësi e arsim.

Mustafa tha se ato mjete mund të përdoren për shëndetësi duke bërë që shteti në të ardhmen të kursej nga shërimi që po obligohet t’i bëjë jashtë vendit.

Njëjtë, sipas tij, me investim në kuadro të arsimit i shërben ekonomisë së vendit.

“Problemi te ne është se kush po ndërton më shumë në regjionin e vetë. Për çfarë kemi nevojë ne brenda, prioritet është shëndetësia dhe arsimi”, ka thënë Mustafa.

“Këto mjete nuk kemi arsye që t’i çojmë në një autostradë të re. Ne nuk do ta përkrahim atë sepse nuk ka qenë ide e jona por nëse i arrin votat në Kuvendin e Kosovës atëherë do të jetë vendim legjitim”, ka thënë ai.

21:07

Mustafa do t’i gëzohej liberalizimit të vizave, por s’e ka të qartë nga i vjen Haradinajt ky entuziazëm

Sot pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj uroi edhe njëherë për vizat, ku tha se kësaj here Gjermania e ka thënë një “po” të menjëhershme për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këtë është shprehur skeptik ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mandatit të secilit kushti i demarkacionit bllokoi procesin e liberalizimit.

Mustafa tha se ka pasur deklarime kundërthënëse nga krerët e shtetit që përfaqësuan Kosovën në Berlin dhe nuk e kupton prej nga vjen kjo deklaratë e kryeministrit.

"Kemi pasur deklarime mjaft kundërthënëse edhe nga njerëzit që e kanë përfaqësuar Kosovën ne Samit. Tani nuk e kam të qartë se nga vjen ky disponim i kryeministrit, do të ishte shumë mirë sepse është fatale të shohësh qytetaret të presin te dyert e ambasadave, unë uroj që të ndodhë”, ka thënë Mustafa.

“Përderisa mos të shoh që edhe vendet tjera si Holanda, Belgjika, Franca, ta përkrahin këtë proces, atëherë nuk mund t’i aplaudoj, do t’i aplaudoja në momentin që ndodh sepse do t’i gëzohesha shumë”, tha ai.

Përndryshe, qeveria ka formuar një grup punues për bashkëpunim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë dhe harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.

20:38

Kosovës i duhet zë i përbashkët rreth dialogut, thotë Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kosovës domosdoshmërisht i duhet një zë i përbashkët për dialogun.

“Ne kot shkojmë në Berlin, Bruksel edhe Paris që nëse ne nuk arrijmë që para se të shkojmë atje të kemi një zë të përbashkët. Mendoj që zgjidhja më e mirë është të kemi zgjedhje por edhe pa zgjedhje ne nuk duhet të rrimë këmbëkryq”, ka thënë Mustafa, në Rubikon të KTV-së.

Duke folur në emër të LDK-së, ai ka thënë se janë të gatshëm gjithmonë që të ulen dhe të bisedojmë se si të gjendet një zgjidhje për Kosovën.

“Mendoj se duhet të merremi vesh për zgjedhje sepse në këtë situatë që kemi ardhur ne, me keqësimin e raporteve me SHBA-në, me mosfunksionimin e qeverisë brenda, konsideroj se nuk kemi arsye të zgjasim më këtë qeveri dhe konsideroj që duhet të kemi zgjedhje, të bëjmë një qeveri të fortë, pa marrë parasysh kush do ta udhëheqë meqë besimin do ta marrë nga qytetarët”, ka thënë Mustafa.

20:32

“Në këtë Qeveri secili partner udhëheqë ministrat e vet, Haradinaj nënshkruan formalisht vendimet”

Lidhja Demokratike garanton që pas zgjedhjeve, dolën apo s’dolën të parët, ata do ta përkrahin procesin e dialogut.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në Rubikon të KTV-së tha se nuk bën t’i besohet Qeverisë Haradinaj se mund ta vazhdojnë procesin e dialogut.

Sipas tij, brenda Qeverisë, secili partner i koalicionit udhëheq me ministrat e vetë dhe kryeministri Haradinaj vetëm nënshkruan vendime formale.

“Ne si LDK, dalim apo s'dalim të parët, ne synojmë të dalim të parët por varet nga besimi i qytetarëve, mirëpo ne garantojmë qe do të përkrahim këtë proces, por natyrisht ne nuk do të përkrahim çfarëdo marrëveshje”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net.

“Është kantonizim aty, çdo parti drejton me ministrat e vetë, kryeministri vetëm nënshkruan vendime formale. PSD nuk është në qeveri por sillet sikur të jetë. Një qeverie të tillë është vështirë që ti besojmë se mund ta udhëheq procesin e dialogut”.

20:23

Mustafa: Platforma për Dialogun s’ka përcaktim direkt për territorin dhe sovranitetin

Kreu i LDK-së ka thënë se kanë vërejtje në përmbajtje të platformës së votuar nga Kuvendi i Kosovës për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, kjo platformë nuk ka përcaktim direkt në çështjen për të cilën edhe është hartuar: territorin dhe sovranitetin e Kosovës.

Mustafa tha se në Platformë parafrazohet Kushtetuta e Kosovës e, sipas tij, në një rast të tillë atëherë nuk të nevojitet fare Platforma meqë mund t’i referohen direkt Kushtetutës.

“Nuk kemi një përcaktim eksplicit të asaj se askush nuk mund të diskutojë për çështje të territorit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ajo nuk ka hy si e tillë por është parafrazuar Kushtetuta atëherë mund t’i referohemi Kushtetutës sepse është dokument më i fuqishëm”, ka thënë Mustafa.

“E dyta pastaj është përbërja e Ekipit Negociator”, shtoi Mustafa.

Ndonëse roli i opozitës është i rëndësishëm në dialog, Mustafa tha se nuk u takon grupeve opozitare që të ulen e të diskutojnë në Bruksel.

Për këtë, tha Mustafa, është qeveria.

“Mendoj se roli ynë si opozitë është që të jemi pjesë e procesit por jo te ulemi në Bruksel sepse atje shtetin e përfaqëson qeveria”, ka thënë ai.

20:14

Mustafa: Presidenti po e korrigjon deklaratën për kufijtë, Berlini i dha shqelm kësaj ideje

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se pritshmëritë e Kosovës ishin shumë të mëdha nga Samiti i Berlinit.

Ai tha se është e rëndësisë jetike që Gjermania dhe Franca janë bashkë në qëndrimet e tyre karshi Kosovës, e kjo, sipas Mustafës dëshmohet me vetë faktin se të dyja shtetet e kanë thirrur këtë Samit.

“Për neve është me rëndësi të madhe që Gjermania dhe Franca janë futur në këtë proces. Ajo që mund të vlerësohet lartë është që kishin një qëndrim të qartë për një marrëveshje dëmi i secilës do të kishte pasoja edhe për vendet e tjera”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që dialogu të vazhdojë, mirëpo kjo nuk mund të bëhet pa mbështetje.

“Nuk kemi pas ndonjë përcaktim paraprak të zyrës së Mogherinit se çka duhet të bisedohet, ata janë munduar ta luajnë rolin e ndërmjetësuesit. Me këtë të fundit, e kam parë se janë ngutur me deklarata sepse nuk është çështje e zyrës së Mogherinit që të flasin për kufij dhe mendoj se e kanë dëmtuar procesin".

Mustafa ka thënë se roli i SHBA-së për këtë proces mbetet i pazëvendësueshëm, ashtu siç ka qenë në secilin proces që e ka kaluar Kosova deri tash.

“Mirëpo procesi duhet të kryhet në Evropë por përsëri neve na nevojitet një përkrahje dhe përfshirje te Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndryshe procesi pa SHBA-në nuk mund as të shkojë përpara e as të mbyllet”, ka thënë Mustafa.

Sa i përket shkëmbimit të territoreve, Mustafa ka thënë se sheh se qëndrimi i Kosovës është i qartë, përveç atij të presidentit deri më tani.

“Tani me sa po shoh në deklarata po korrigjohet edhe Presidenti”, ka thënë Mustafa.

“Mendoj që i është dhënë një shqelm i fuqishëm kësaj ideje, nuk jam i sigurt se sa është mbyll ose jo, por jam i sigurt që LDK mos ta përkrah asnjëherë”, përfundoi Mustafa.