1 perditesime
10:23

Kurti: Moszbardhja e vrasjes së Fehmi Aganit e pafalshme për institucionet e Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar Fehmi Aganin në 20-vjetorin e vrasjes së tij.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se, akademik Fehmi Agani ishte intelektual delikat dhe profesor i afërt, dashamirës i dijes, mësimit dhe studimit, njeri paqësor e përparimtar. Formimi i tij ishte kryesisht humanist e social.

Kurti thotë se Agani, angazhimin e vet politik e shihte më shumë të imponuar nga koha dhe rrethanat sesa pasion karakteri apo prirje profesioni.

Sipas tij, injorimi i institucioneve të Kosovës për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësinë për të, është i pafalshëm.

“Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën”, ka shkruar ai,

Kurti ka kujtuar disa nga takimet me Aganin derisa atë e ka përshkruar si njeri që me durim dhe qetësi argumentonte para ndërkombëtarëve për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovën e okupuar.

“Kam marrë pjesë në një takim me Prof. Aganin në verën e vitit 1997 kur ai ishte nënkryetar i LDK-së e unë përfaqësues studentor në përgatitje të protestave paqësore. Po ashtu, kemi qenë bashkë në takim me ish ministrin e jashtëm gjerman Klaus Kinkel si dhe njëherë kemi udhëtuar bashkë teksa ktheheshim në Prishtinë pas vizitës në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Beograd ku ishim takuar me z. Tony Lloyd, Ministër i Shtetit në Foreign and Commonëealth Office (FCO). Prof. Agani argumentonte drejt dhe përshkruante saktë gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovën e okupuar. Me durimin që ishte vëmendje dhe me qetësinë që ishte urtësi arsyetonte bindshëm”, ka shkruar ai.

08:52

Mustafa thotë se Fehmi Agani ishte ideator i programit shtetformues në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Fehmi Aganin në 20-vjetorin e vrasjes së tij.

Ai përmes një njoftimi për medie ka thënë se, akademik Fehmi Agani ishte një vizionar, intelektual dhe atdhetar që tërë jetën ja kushtoi lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Janë bërë plot 20 vjet që na mungon mendjemprehtësia dhe vizioni i tij politik dhe shtetformues”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se profesor Agani ishte përqendruar në përpilimin e argumenteve socio-politike të projektit dhe lëvizjes politike të intelektualëve shqiptar të Kosovës, për të drejtën tonë të qeverisim me fatin e atdheut tonë.

Sipas tij, Fehmi Agani, si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Ibrahim Rugova, ishte ideator i programit shtetformues në Kosovë, në kohët me vështira nën regjimin serb dhe ai u vra sepse ishte pikërisht i tillë.

“Sot i bëjmë jehonë fjalëve të Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova, në përkujtimin e vitit 2003 ‘Zoti e bekoftë Fehmi Aganin, Zoti e bekoftë familjen Agani, Zoti e bekoftë Kosovën”, ka thënë ai.