Arbëri

S’ka llogaridhënie për foto-skandalin, lidershipi e merr në mbrojtje Brovinën

S’ka llogaridhënie për foto-skandalin, lidershipi e merr në mbrojtje Brovinën

Deputetja Flora Brovina nuk e ka ofruar dorëheqjen të premten, si shenjë reflektimi për skandalin e një dite më parë, kur për një fotografi që ua prezantoi mediave tha se paraqiste pamjen e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë. Liderët institucionalë e kanë marrë në mbrojtje deputeten, ani se është konfirmuar që imazhi në fotografi paraqet një skenë të një filmi pornografik, të realizuar vite më parë në Hungari.

Publikimin e këtij imazhi, deputetja Brovina e ka bërë në kohën kur në Kuvend po realizohej debati, përpara se të miratohej një Rezolutë për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Aty pati thënë se “gruaja e dhunuar” ishte gjallë dhe se e di saktë lokacionin ku ishte kryer “krimi”. Madje, pati thënë se për rastin ishin në dijeni edhe autoritetet e drejtësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.