AKR-ja mbetet veç me një deputet, udhëheq katër Ministri Foto: Koha

AKR-ja mbetet veç me një deputet, udhëheq katër Ministri

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 18 June 2019 22:28

Behgjet Pacolli, Labinot Tahiri, Islam Pacolli e Korab Sejdiu ishin katër deputetë të Aleancës Kosova e Re, që fituan ulëset në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke garuar si pjesë e listës së përbashkët me LDK-në.

Prej tyre, ka mbetur veç një deputet. Është Islam Pacolli, familjar i Behgjet Pacollit, që vazhdon të jetë besnik ndaj partisë, raporton Koha.net.

Tahiri e Sejdiu tashmë janë deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, e që të dy, para se ta lënë AKR-në lëshuan kritika ndaj ish-partisë.

Korab Sejdiu, në shtator të 2017-s deponoi dorëheqjen nga të gjitha pozitat në partinë e Pacollit. Atëkohë, s’u pajtua me koalicionin PANA dhe kishte paralajmëruar menjëherë votimin kundër zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe kundër Qeverisë.

Ndërkaq Labinot Tahiri i cili ka kohë që funksionon si deputet i pavarur, sot në Rubikon të KTV-së tha se zyrtarisht nga nesër është deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës por kur foli për AKR dhe Pacollin, tha se ky i fundit nuk ka kurrfarë kontrolli mbi këtë parti, madje, foli edhe për përplasje të brendshme.

Kjo parti që tash ka veç një deputet në Kuvendin e Kosovës, megjithatë udhëheqë katër Ministri.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme kishte dalë fitues koalicioni “PANA”, ku Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, që bashkë bëhen PANA, para se të themelohej ky koalicion kishin nënshkruar një marrëveshje dhe i kishin ndarë Ministritë.

Në bazë të kësaj marrëveshje AKR-së i takonin katër ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit, që tash e mban kryetari i partisë, Behgjet Pacolli.

AKR-ja drejton Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Pavarësisht kësaj, dy prej këtyre Ministrive ndërruan ministrat disa herë, përveç kësaj të jashtmes, që në krye ka Pacollin dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik me Valdrin Llukën.

I pari në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte Flamur Sefaj që dha dorëheqje të parevokueshme pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Pas kësaj, dorëheqje dha edhe Albena Reshitaj nga MMPH-ja, që thotë ta ketë bërë për arsye personale.

Sefaj u pasua nga Bejtush Gashi, i cili brenda një periudhe të shkurtër u shkarkua e më pas u emërua ministër Ekrem Mustafa. Mustafa, u emërua pas kërkesës që e kishte bërë deputeti i atëhershëm i AKR-së, Labinot Tahiri, tash deputet i pavarur. Tahiri kishte kërkuar me patjetër që edhe Komuna e Ferizajt ta ketë një ministër.

E pas largimit të Reshitajt, në krye të MMPH-së erdhi Fatmir Matoshi, i cili ende e mban këtë pozitë.

Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, vazhdon ta udhëheqë Valdrin Lluka, nga AKR-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme