Limaj: Kushtetuesja s’mund ta kontestojë ekzistencën e Ekipin Negociator

Limaj: Eulexi mision i dështuar

03 July 2019 20:09
21:51

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se Eulexi është një mision i dështuar në Kosovë.

Ai ka deklaruar se Eulexi kishte bastisur një institucion publik pa urdhër të gjykatës, dhe në ditën që ishin hapur hetimet.

Limaj thotë se janë bërë dhjetë vjet që ishte hapur procesi gjyqësor ndaj tij në rastin e MTPT-së, pafajësinë e të cilit ditë më parë e vërtetoi Gjykata.

“Janë katër procese gjyqësore veç e veç dhe të gjitha kanë përfunduar me aktgjykim të formës së prerë, pra jam shpallë i pafajshëm. Tri janë për krime lufte, dhe kjo e fundit në MTPT. Procesi që është mbyllur dje i ka dhjetë vjet që është hapur. Më vjen mirë që Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë ka vërtetuar ato që ne i kemi thënë që nga dita e parë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij elementet e Prokurorisë dhe Policisë janë futë në diçka të pazakontë, në një veprim publik sepse nuk ka pasur aktakuzë por vetëm hapje të hetimeve.

“Sot është marrë vendimi për hapje të hetimeve edhe sot janë bërë ato bastisjet, e këtë e ka zbuluar ky proces gjyqësor. Kanë bërë bastisje pa urdhër të Gjykatës, e pa urdhër të saj janë futur në institucione publike, e në shtëpi të një personi. Ky procesor hetimor ka shkuar dy vjet e gjysmë dhe ka kaluar afati për ngritjen e aktakuzës. Ishte një nguti për me e bërë atë spektakël, por më pas pati heshtje e për një vit e gjysmë nuk është marrë në pyetje i dyshuari”, u shpreh Limaj, i cili tregon se gjatë tërë këtij procesi i janë bërë vetëm katër pyetje.

Tutje ai ka komentuar edhe rastin e fabrikimit të SMS-ve.

“Rrugës është fabrikuar rasti i SMS-ve, ajo nuk është hetuar asnjëherë. E të gjitha këto janë vërtetuar në procesin gjyqësor. Dhjetë vjet fyerje, për mua, familjen e vendin, një persekutim i hatashëm. E në vend se të hetohen montuesit, ose njerëzit e thirrur për të mbrojtur ligjin, jam hetuar unë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij të gjitha këto janë bërë me motive të ndryshme.

“Dikush ka dashur të tregojë se misioni i Eulexit është i suksesshëm, por ai është një mision i dështuar. Ata nuk e kanë gajle ligjin, janë hy në koordinim me disa segmente tonat. Çfarë ka ndodh është e habitshme, si i bënë ato veprime pa pasur asnjë aktakuzë’, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka thënë se si nuk pati askush nga misioni ndërkombëtar që t’i kërkojë falje për këtë.

“Ku të shkoj unë pas gjykatave? Te ndonjë hoxhë, sheh, prift apo te Burdushi? A duhet t’i besojmë këtij sistemi të drejtësisë apo jo? A nënkupton sistemi i drejtësisë vetëm kur t’i çon njerëzit në burg, apo edhe kur e vërteton të vërtetën?. Më ka habitur fakti se si nuk ka gjetur kurajën me na thënë më falni se kjo ishte gabim, mënyra se si është nisë”, u shpreh Limaj në Rubikon.

Kujtojmë se Limaj akuzohej për krim të organizuar e korrupsion, që ka të bëjë me kurdisje çmimesh të tenderëve në kohën sa Limaj ishte pjesë e PDK-së e ministër i Transportit.

21:01

Limaj propozon që dialogu të udhëhiqet nga presidentja e KE-së e jo nga Borrelli

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kosova e ka pritur me skepticizëm emërimin e spanjollit Josep Borrell si përfaqësues i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, pozicion të cilin deri më tani e ka mbajtur Federica Mogherini.

Siç dihet Borrell vjen nga Spanja, vend ky që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Por, Limaj ka propozuar që zëvendësuese e Mogherinit, si ndërmjetësuese në dialog, të jetë kandidatja për presidente të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që momentalisht është Ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Me skepticizëm dhe shqetësim e kemi parë si Kosovë emërimin e Borrellit dhe rreziku është që në tavolinën e bisedimeve të kemi qëndrimin e Spanjës. Se si do të vazhdojë, ta shohim. Mendoj që si Kosovë duhet të kërkojmë që rolin e ndërmjetësuesit ta merr kandidatja për presidente të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kështu edhe procesi do të ketë dinamikën dhe rëndësinë e vetë”, ka thënë Limaj.

20:38

Limaj thotë se s’ka asnjë informacion se çfarë është diskutuar në takimin sekret në Berlin

Fatmir Limaj thotë se nuk ka informacion për takimin sekret që u mbajt në Berlin mes zyrtarëve kosovarë dhe serbë për dialogun me Serbinë.

Limaj në Rubikon të KTV-së tha se nuk ka biseduar me kryeministrin dhe nuk ka ndonjë informacion se çka është biseduar.

Ai bëri të ditur se kishte dëgjuar nga palë tjera mirëpo asnjëherë zyrtarisht.

“Takimi në Berlin ka qenë gabim. Nuk e kemi diskutuar. Nuk kam asnjë informacion se çfarë është biseduar në takim. Ne kemi nevojë që me dal prej atyre kalkulimeve të ngushta dhe të kemi një unitet të fortë”, u shpreh Limaj.

Ky takim u mbajt në Berlin mes Avni Arifit, ish-shef i kabinetit të kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe Marko Gjuriqit, drejtor i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me ekipet e tyre, e që u ndërmjetësua nga Franca dhe Gjermania.

Pak ditë pas takimit, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se partnerët e koalicionit ishin në dijeni për këtë takim.

20:32

Limaj: Pas largimit të PSD-së nuk ekziston Ekipi Negociator

Me dorëheqjen e PSD-së nga Ekipi Negociator, sipas Fatmir Limajt gjithçka mbetet e pezulluar.

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Limaj tha se fillimisht po pret t’i dëgjojë opinionet e partnerëve të koalicionit.

“Në Kosovë gjithmonë ka pasur kritikë për mos transparencë, mos përfshirje të Kuvendit në dialog. Nuk do të doja asnjëherë ta shoh vendin tim në atë situatë ku një pjesë e madhe e spektrit politik mbeten vëzhgues”, ka thënë Limaj. “Nuk mund të flasim më për një ekip negociator përderisa PSD ka dhënë dorëheqje sepse nuk është më gjithëpërfshirës. Kam kërkuar që partnerët e koalicionit të ulen dhe të bisedojnë se si e shohin këtë temë tash”.

“Qëndrimi im dhe i partisë që përfaqësoj është se duhet të jemi unik ndaj Serbisë. Prandaj, kam ftuar partnerët e koalicionit të flasin dhe të tregojnë se çka mendojnë për këtë temë, dua t’i dëgjojë”, u shpreh Limaj.

20:24

Limaj thotë se realitet të ri ka shkaktuar tërheqja e PSD-së, jo vendimi i Kushtetueses

Edhe pas një jave, partnerët e koalicionit PAN ende nuk kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me vendimin e Kushtetueses për Ekipin Negociator.

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës dhe i zgjedhur i këtij koalicioni për të bashkëkryesuar Ekipin Negociator është në pritje të një takimi me partnerët.

Ai tha se largimi i Partisë Socialdemokrate shkon përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, derisa thekson se realitet të ri ka shkaktuar largimi i PSD-së, jo vendimi i Kushtetueses.

“Largimi PSD-së nuk do të thotë se tash kemi një delegacion qysh e kemi pas. Unë e kuptoj qëndrimin e PSD-së, pasi ka ardhur nga opozita. Ne s’mund të reagojmë nga distanca sepse kjo është e papjekur politikisht. Ne do të ulemi për të diskutuar dhe të dëgjojmë qëndrimin e partnerëve tanë e pastaj të kemi një qëndrim nga ana e koalicionit. Për mua realitet të ri ka shkaktuar tërheqja e PSD-së, jo vendimi i Kushtetueses”, ka thënë Limaj në Rubikon të KTV-së.

Ai ka shtuar se sot për sot Kosova nuk ka ekip shtetëror për bisedime sepse është larguar një pjesë e saj, dhe tani koalicioni qeverisës duhet të ketë një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje.

20:09

Limaj: Kushtetuesja s’mund ta kontestojë ekzistencën e Ekipin Negociator

Fatmir Limaj, bashkëkryesues në Ekipin Negociator, në Rubikon të KTV-së ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka trajtuar kompetencat dhe jo mandatin e delegacionit.

Ai ka theksuar se Kushtetuesja nuk mund të kontestojë ekzistencën e delegacionit duke qenë se është rezolutë e Kuvendit të Kosovës përmes secilës ekipit i jepet mandat politik.

“Delegacioni shtetëror i Kosovës është i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës si trupë politike, ka marr vendim politik nga Kuvendi. Nuk mundet as me ataku Gjykata Kushtetuese rezolutën e Parlamentit të Kosovës, ajo i ka trajtu kompetencat e delegacionit por jo edhe ekzistencën e tij”, ka thënë Limaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme