2 perditesime
18:40

Mustafa i kundërpërgjigjet sërish Lekajt

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur ministrit të Infrastrukturës Pal Lekajt, duke ia përmendur dallaveret në rastin e patentë shoferëve.

Mustafa ka thënë se ndjen dhembje për njerëzit që vriten në komunikacion nga ata që dyshohet se blejnë patentë shoferët nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, transmeton Koha.net.

“Zoti ministër Lekaj, unë vajtoj dhe ndjej dhembje për njerëzit që po vriten në rrugë nga ata që zyrtarët e Ministrisë tuaj dyshohet se po ua shesin lejet e vozitjes, pa provim. Vetëm kriminelët mund të sillen me shpërfillje në këtë situatë”, ka shkruar Mustafa në një postim në Facebook.

17:37

Lekaj: Prioritet i yni nuk është Mustafa, është rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj përmes një postimi i është kundërpërgjigjur kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Lekaj ka thënë se prioritet i Qeverisë Haradinaj është rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e Isa Mustafës, transmeton Koha.net.

Isa Mustafa sot kishte deklaruar se Lekaj s’duhet të merret me opozitën, por me zyrtarët që po i arrestohen.

“Prioritet i yni nuk është Isa Mustafa, janë rregullimi i gjërave të lëna keq nga klika e tij. Nga viti 2017 kur ne erdhëm në pushtet, deri sot kur Isa Mustafa kritikon një sektor që tashmë ka filluar të digjitalizohet, ka rënie të aksidenteve me fatalitet për rreth 25%. Askush nuk është mbi ligjin, prandaj nëse ka veprime korruptive në cilindo sektor, drejtësia të ndërmarrë veprimet e saj. Ne as më të voglin veprim nuk e bëjmë, sikur dikur nga segmente të ish-qeverisë, për t’i ndalë punën drejtësisë në zbardhjen e secilës thashetheme”, ka shkruar Lekaj.

Tutje Lekaj ka shfaqur disa statistika për zvogëlimin e aksidenteve.

“Shoku ish-kryeministër, me poshtë po të shfaq statistikat policore dhe tonat, përsa i përket aksidenteve me pasoja fatale, gjithsesi një jetë e humbur është shumë, por ne asnjëherë nuk ndalemi në kryerjen e detyrave tona, që e bëjnë trafikun rrugor më të sigurt. Ju vazhdoni e vajtoni, sepse është e vetmja gjë që e bëni mirë dhe nëse ju duhet ndonjë karrige na thoni. Aksidentet e përgjithshme kemi zbritje për rreth 10%; Aksidentet me lëndime kemi ngritje për -15.33 %; Aksidente me dëme materiale në zbritje për 5 %; Aksidentet me fatalitet janë në zbritje për - 25.71 %”, ka shkruar Lekaj.

15:36

Mustafa i thotë Lekajt të mos merret me opozitën por me zyrtarët e tij të arrestuar

Deklarata e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, se opozita po tallet me qytetarët për rrëzimin e Qeverisë, e ka shtyrë liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’ia kujtojë atij gjykimin e 16 zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës të arrestuar të premten për rastin e patentë shoferëve.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, ministri Lekaj e ka gjetur të merret me opozitën, transmeton Koha.net.

“Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita”, ka shtuar ai.

Sipas kreut të LDK-së, ministri do të ishte më mirë të mendojë, se sa janë nga shoferët me leje të blera nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët nëpër rrugë.

“Duhet të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë sesi duhet të mbetet në pushtet”, ka thënë ai.