2 perditesime
11:20

Zyrtarët e Aeroportit i cilësojnë joligjore e të pabazuara kërkesat e punëtorëve

Joligjore dhe të pabazuara po i cilësojnë zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kërkesat e punëtorëve, që kanë nisur sot në mëngjes një protestë.

Ata po mbajnë një konferencë për media.

Valentina Gara, zëdhënëse në ANP “Adem Jashari”, ka thënë se kërkesat e tyre janë joligjore dhe të pabazuara.

“Ata duhet t’u referohen kontratave që kanë nënshkruar vetë. Ata kanë pranuar kushtet që u janë ofruar.

09:56

Autoriteti i Aviacionit Civil do që problemet në “Adem Jashari” të zgjidhen me dialog

Për shkak të zhvillimeve të fundit në Aeroportin “Adem Jashari”, ka reaguar edhe Autoriteti i Aviacionit Civil.

AAC i bëri thirrje Sindikatës së Punëtorëve dhe organit menaxhues të ANP “Adem Jashari”, kompanisë “Limak”, të zhvillojnë dialog social dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme për të dy palët brenda kornizës ligjore, në mënyrë që të parandalojnë pengimin e operimeve të aeroportit.

“E drejta në grevë është e garantuar me Kushtetutë dhe akte juridike ndërkombëtare të cilat zbatohen në vendin tonë, por paraprakisht duhet të ezaurohen mundësitë që ofron dialogu social”, thuhet në njoftimin e AAC-së.

08:17

Me protestë, punëtorët e aeroportit “Adem Jashari” kërkojnë drejtësi

Mëngjesin e sotëm, prej orës 08:00, punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë nisur protestën njëorëshe në kërkim të realizimit të të drejtave të tyre.

Para dy ditësh, sindikata e pavarur e këtij aeroporti përmes një konference për media shprehu shqetësimet e tyre për padrejtësitë që po u bëhen nga menaxhmenti i këtij aeroporti.

Kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi deklaroi se me ardhjen e turqve në krye të aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari" është shuar zëri sindikal. Ai tha se ndonëse kërkesat e tyre u kanë dërguar menaxhmentit të LIMAK ata kanë hasur në vesh të shurdhër.

Ndër kërkesat e tyre ai ka përmendur kompensimin dhe beneficione tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Latifi tha se krahas shkeljeve të shumta që po u bëhen punëtorëve të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, LIMAK për gabimin më të vogël po dënon punëtorët deri në 16 mijë euro.

Image