Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e mbështetur nga anëtarët, ka kërkuar nga sekretariati i KQZ-së që të mobilizohen, që në rast të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, të jenë të gatshëm për organizimin e tyre.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u regjistruan tre parti të reja politike, Valdete Daka tha se e sigurojnë publikun që janë të gatshëm për organizmin kurdo që vendoset të mbahen zgjedhjet në Kosovë, raporton ksp.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se sekretariati duhet të fillojë mobilizimin, jo përgatitjet, për zgjedhje të mundshme në fund të muajit shtator apo në fillim të tetorit të këtij viti.
“Duhet ta sigurojmë publikun se ne jemi të gatshëm që kuro qoftë ato të shpallen t’i organizojmë, dhe natyrisht ne si trup vendimmarrëse kërkojmë nga sekretariati t’i fillojë, jo përgatitjet për zgjedhje, por që të mobilizohen që në rast se kemi zgjedhje qoftë muajin e ardhshëm qoftë pas atij, të jenë të gatshëm që t’i përgjigjen kërkesës për organizimin e zgjedhjeve. E sigurojmë publikun që jemi të gatshëm dhe kurdo qoftë ato zgjedhje shpallen ne do t’i organizojmë”, tha ajo.
Anëtari i KQZ-së, Sami Hamiti tha se vendi është në prag të zgjedhjeve dhe KQZ duhet të jetë e përgatitur, në mënyrë që mos të përballet me problemet e mëparshme.
“Normalisht që jemi në prag të zgjedhjeve, ne mujm me thënë se nuk është vit zgjedhor, por zgjedhjet janë, dhe mos me na gjetë si në situate në të cilat vijmë gjithmonë dhe themi jemi të papërgatitur ose na ndodhin shpejtë se janë të jashtëzakonshme. Të përgatitemi sidomos për zyrtare komunal kah nuk i kemi, sepse nuk janë plotësuar vendet, kemi problem me softwerin herën e kaluar, mos të na ndodh, ajo është çështje teknike, kemi qenë të fundit që i kemi qitë rezultatet”, tha ai.
Edhe sipas Florian Dushit, është në interes të KQZ-së që të fillojë përgatitjet rreth zgjedhjeve, meqë afati kohor që i jepet pastaj mund të jetë i shkurtër.
“Mos të na ndodh sikur disa zyrtarë komunalë në komuna të ndryshme që i nxike bora në dimër në befasi, ne po i shohim zhvillimet, andaj është në interesin e KQZ-së që të fillojë disa përgatitje rreth zgjedhjeve, sepse sigurisht meqë këto afatet tjera po përfitojnë kohë, kur vjen puna për KQZ-në kanë me na lënë afatin minimal, andaj duhet të jemi gati”, tha ai.
E sipas Adnan Rrustemit, KQZ duhet të reflektojë qëndrimin në përputhje me aktuale. Sipas tij, zgjedhjet mund të mbahen së shpejti dhe nuk duhet t’i gjejnë në befasi.
“Kjo nuk na ndalon si sekretariatit të fillojmë planifikimin e buxhetit, të resurseve profesionale, njerëzore të përgatitjes së operacioneve që procesi zgjedhor me shku sa më mirë. Kjo nënkupton veç në fazën e mobilizimit për përgatitje, jo të vendimeve jo të shqyrtimeve. Andaj mendoj që edhe opinion ka interesim për këtë, edhe vet ne duhet të reflektojmë qëndrimin në përputhje e situatën që jemi. Zgjedhjet mund të jenë shpejt, në fund të shtatorit, fillim të tetorit më sa largu, e nuk duhet të jemi në befasi të paktën për këtë periudhë”, tha ai.
Kujtomë se kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka caktuar datën 22 gusht për seancë në të cilën do të jetë pikë e rendit të ditës shpërndarja e kësaj legjislature të Kuvendit.
Kjo ka ardhur pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili muajin që shkoi njoftoi se po dorëhiqet nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës që i erdhi nga Gjykata Speciale.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka folur për zgjedhje të reja, veçse i ka kërkuar koalicionit të propozojnë një mandatar të ri për në krye të ekzekutivit./