1 perditesime
18:06

Shërbimi Korrektues mohon gjendjen e keqe në burgje dhe trajtimin joadekuat ndaj të burgosurve

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar pas lajmit të Koha.net, në të cilin një i burgosur ka rrëfyer ngjarjen e 23-vjeçarit, i cili u vetëvra në burgun e Dubravës.

Ky institucion, përmes një komunikate për media, ka thënë se të gjithë të burgosurit në burgjet e Kosovës trajtohen konform konventave ndërkombëtare.

“Lidhur me këto shkrime, për hir të transparencës dhe përgjegjësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, fton të gjitha organizatat ndërkombëtare e vendore, QKMRT-në, KMDLNJ-në, Inspektoratin e SHKK-së, Avokatin e Popullit, të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike për të vizituar kushtet higjienike, kuzhinën, banjot, hapësirat, si dhe të verifikojnë gjendjen e të burgosurve në të gjitha institucionet korrektuese, në veçanti Qendrën Korrektuese të Dubravës”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Të gjithë të burgosurit trajtohen konform konventave ndërkombëtare, andaj SHKK u bën thirrje të gjitha mediave të kontaktojnë me SHKK-në, t`i verifikojnë informacionet dhe mos të bien pre e dezinforatave të tilla, të cila kanë për qëllim zbehjen e imazhit dhe mundin e stafit të SHKK-së”, thuhet tutje në njoftim.

15:03

I burgosuri rrëfen ekskluzivisht për Koha.net ngjarjen e 23-vjeçarit, mohon atë që thanë KMDLNJ-ja dhe SHKK-ja

Në redaksinë e Koha.net ka telefonuar një i burgosur nga Burgu i Dubravës i cili ka dashur të mbetet anonim (emër i njohur për redaksinë), për të dhënë informacione pas vetëvarjes së 23-vjeçarit F.I.

Ai ka mohuar deklaratat që janë lëshuar nga KMDLNJ-ja dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke thënë se asnjëra s’janë të vërteta. Sipas tij, i burgosuri F.I, nuk është takuar me ndonjë psikolog, ashtu siç deklaroi KMDLNJ-ja që i F.I, “gjatë qëndrimit në Burgun në Dubravës është vizituar nga psikologu, psikiatri, pulmologu, stomatologu dhe mjekët e tjerë me ç’rast ka deklaruar se e mendon vetëvarjen”. 

Megjithatë, raportet e monitorimit nga Avokati i Popullit dhe organizatat tjera, ndonëse flasin për kushte jo të mira në burgjet e Kosovës, nuk e mohojnë që të burgosurit kanë vizita të rregullta mjekësore e të punonjësve socialë.

LEXO EDHE: Në Burgun e Dubravës vdes një 23 vjeçar, kishte paralajmëruar vetëvarjen

I burgosuri që është në vuajtje të dënimit, thotë se ai dhe të tjerët, kurrë s’takohen me psikologë e psikiatër, madje, as s’dinë nëse aty ka të tillë.

I burgosuri që ka folur për Koha.net ka thënë se ka qëndruar me F.I në të njëjtën ndërtesë, dhe realisht, ai kurrë s’ka përmendur vetëvrasjen por ka kërkuar të vizitohet nga një mjek. Në të kundërtën, siç thotë ky, ai s’ka gjetur mbështetje por është rrahur me shuplaka nga shefi i ndërrimit.

“Është për keqardhje çka po ndodh këtu. Qysh mundet një institucion me kamuflu këso gjërash. Në një ndërtesë me F.I kam qenë. Ai është varë për arsye tjera. Kanë dhënë motive tjera të vetëvrasjes. Edhe KMDLNJ e ka dhënë një deklaratë që është skandaloze. Në burgun e Dubravës nuk ka psikologë e as psikiatër. 90 për qind e të burgosurve as nuk i kanë parë ndonjëherë. Problem është që e ka trajtuar ndonjëherë dikush këta (F.I)”, është shprehur i burgosuri.

“Nuk është e vërtetë që ai (F.I) ka paralajmëruar vetëvrasje. Ai ka lyp ndihmë mjekësore dhe nuk e kanë dërguar tek mjeku. Janë deklarata skandaloze, është e habitshme qysh shteti me bo një gjë të tillë, i mban njerëzit në burg për krime e vet ju bën krim. Ai ka lyp ndihmë për shkak të dhimbjeve të kokës, stafi ka refuzuar ta dërgojë përkundrazi, kemi edhe dëshmitarë, shefi i ndërrimit e ka goditur dy herë me shuplakë, dhe më pas ai e ka fur veten”, shprehet ai, duke kërkuar të mbetet anonim sepse siç u shpreh ai, “tani këta po na hakmerren”.

I njëjti ka treguar për kushtet e rënda higjienike e ato elementare që i kanë. Thotë se terapitë, duhet t’i kërkojnë vet prej shtëpisë.

“As në Afganistan nuk është kështu. Që 7 vjet nuk janë ndërruar dyshekët, kundërmojnë erë e është e pamundur të flesh aty. Terapinë detyrohemi me marrë prej shtëpisë. Le të bëhet një Komision i pavarur e le të vie e ta verifikojë, të gjitha qëndrojnë. Neglizhenca është në maksimum, shëndetësia është katastrofale, ushqimi tepër keq. Pakot ushqimore na kanë ndaluar”, u shpreh tutje ai.

Pak muaj më parë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka thënë se të burgosurit në burgun e Dubravës, në vazhdimësi përballen me dhunë fizike, kërcënime, shantazhe e fyerje.