Haradinaj tregon pasurinë e tij

09 September 2019 19:10
21:44

Ramush Haradinaj, kryeministër në dorëheqje, ka treguar në Rubikon të KTV-së pasurinë e tij.

Këtë e ka bërë duke iu përgjigjur qytetarëve që kishin bërë pyetje në drejtim të tij, në faqen e Rubikonit në Facebook.

Ka treguar për pronat që posedon dhe të hyrat vjetore. Ka thënë se veç vet paguan rreth 20 mijë euro tatim në vit.

21:18

Haradinaj flet për “luftën” e Veselit, “çkapjen” e LDK-së dhe “kapjen” e Vetëvendosjes

i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka komentuar pikat kyçe të fushatës së kundërkandidatëve të tij për zgjedhjet e 6 tetorit.

“Sot shembull Kadri Veseli del e thotë po e luftojmë korrupsion. Ky është korruptim i luftës së korrupsionit, se këta njerëz e kanë ndërtuar krejt këtë sistem, krejt çka kemi në këtë vend. E tash çohet ky e thotë do ta luftoj. O vlla, rri rahat. Thuaj po ndahna prej korrupsionit, PDK e ka bërë njet mu nda prej korrupsionit”.

Duke folur për LDK-në, ai ka thënë se kjo parti “e ka ndihmuar kapjen shtetin në atë formë që askush nuk mund ta bëjë”.

“E ka votuar Thaçin për president. LDK e ka kapur, prej kujt po don me çkap tash”, ka thënë ai.

“Vetëvendosja kur patën hy në Prishtinë e patën kap Prishtinën aq fortë saqë nuk mund të merrte frymë aty askush”.

Ai ka thënë se edhe vendimet për Prizren merren në Prishtinë.

21:09

Haradinaj kundër vettingut në sistemin e drejtësisë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, duke ndërlidhur rritjen e pagës për vete me ato të prokurorëve e gjyqtarëve, në Rubikon të KTV-së ka thënë se ai s’do të bënte vetting për sistemin e drejtësisë.

“Më kanë thënë se vjen paga e presidentit, e kryeparlamentarit dhe e juaja, në bazë të sistemit. U kam thënë në rregull vendose për fundi. Kam hierarkinë e pagave sipas sistemit të vendit tim. Kemi pas edhe pengesa. Kemi pas pengesa edhe në pagat për prokurorë e gjyqtarë. Kemi pas pengesa. Unë s’bëj vetting. Për askënd. Ekziston AKI-ja për ndonjë gjë që del jashtë ligjeve tona. Është për çështje të sigurisë. Krejt vettingave, krejt proceseve ua kemi pa sherrin”, ka thënë ai duke e ndërlidhur këtë edhe me EULEX-in.

“Do të kërkoj zbatimin e ligjit nga të gjithë pa paragjykim. Janë pushtete të ndara. Ekzekutivi s’ka mekanizëm që ndërhyn te ta. Parlamenti mundet të votojë norma, masa. Për nevoja të sigurisë ne bëjmë verifikim. E pyesim AKI-në, sikur Kushtetuesen për tema të caktuara. Jam i detyruar ta pyes AKI-në në tema ku ka ndjeshmëri”, ka deklaruar më tej ai.

21:04

Haradinaj: Nuk ka njeri në sistemin gjyqësor që e kam çu unë, e kanë bërë PDK e LDK

“Në Kosovën tonë të dashur ka aktakuza me porosi politike dhe ka njerëz që thonë se kujt e kujt me ja ngrit aktakuzën”. Kështu ka thënë Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së.

Ai thotë se një gjë të tillë e bëjnë ata që e kanë sjellë punën e sistemit gjyqësor aty ku është sot.

Betim Musliu, nga Instituti për Drejtësi, e pyeti kryeministrin në detyrë për ministrat që nuk e kanë marrë pagën me rritje duke i thënë nëse kjo iu bë me qëllim ndaj tij.

“Bedri Hamza i ka pasur 5 mijë euro prej BQK-së, pse m’i marrë 1500 prej qeverisë”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk kam shumë impute, nuk i njoh shumë prokurorë e gjyqtarë. Nuk kam qenë president, as ministër i Drejtësisë. S’ka njerëz në sistem gjyqësor që i ka çu Ramush Haradinaj, krejt sistemin gjyqësor në Kosovë e kanë ndërtuar ata që kanë qenë në pushtet, që i bie PDK e LDK”, ka thënë ai.

Megjithatë duke folur për Elez Blakajn, dhe deklaratën e Albin Kurtit se do ta kthejë në Kosovë ish-prokurorin, Haradinaj ka thënë se “në sistemin e drejtësisë natyrisht jo të gjithë janë të emëruar”.

“Ai sot mundet me u kthy në Kosovë. Ka Elez Blakaj edhe në Kosovë”, ka thënë ai.

20:48

Haradinaj nuk premton se do ta zvogëlojë numrin e ministrave, por po të zëvendësministrave

Kandidati për kryeministër nga AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk mundet të premtojë se do të zvogëlojë numrin e ministrive në mandatin e ardhshëm, në rast se e fiton.

Ai ka thënë se nuk mund të japë një premtim të cilin ndodh që nuk mundet ta mbajë.

“Të numri i ministrive mundet mu zvogëlu, mendoj mes 15 dhe 19 ministri, në çdo rrethanë mjafton. As tash nuk premtoj që do ta bëjë 15 apo 19 për shkak të shumë rrethanave. Një gjë që mund ta bëjë një kryetar është me vendos një kriter që s’ka më shumë se dy zëvendësministra”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur nga Agron Bajrami i Kohës Ditore se pse e bëri atëherë një qeveri të madhe me atë numër zëvendësministrash, Haradinaj tha se “ishte kompromis për krijimin e qeverisë” dhe “asnjëherë nuk i ka ardhur mirë për këtë”.

“As tash nuk premtoj se do ta bëjë me aq ministri, për shkak të shumë rrethanave në Kosovë. Por premtoj se zëvendësministër të tretë në një Ministri nuk kisha pranuar”, ka thënë Haradinaj.

20:33

Haradinaj s’e diskuton heqjen e taksës me partnerët për formimin e Qeverisë pas zgjedhjeve

Ramush Haradinaj, ka thënë se po e sheh të gatshme Serbinë për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve, pa e hequr fare taksën ndaj mallrave të saj të vënë nga Qeveria e Kosovës.

“Nga ajo që kam parë prej bashkësisë kombëtare, është krijuar një bindje që Kosova duhet më dhënë diçka e këtë bindje e ka krijuar lidershipi i Kosovës para meje. Kam luftuar kundër këtyre logjikave dhe rezultat i këtyre luftërave që i kemi bërë, i kemi disa situata siç i kemi tani”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk do ta diskutojë heqjen e taksës me partnerët e ardhshëm në formimin e Qeverisë.

“Nëse e krijoj Qeverinë, unë kam pasur parti në qeveri që kanë dashur ta suspendojnë por nuk e kanë bërë, nëse e bën qeverinë dikush tjetër, ju kisha lutur mos ta bëjnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, heqja e taksës do të shkaktonte pasoja të rënda e dëme të mëdha që do t’i kushtonin Kosovës, në rast të heqjes së taksës pa njohjen e Kosovës nga Serbia.

20:23

Haradinaj hedh poshtë idenë për reciprocitet, kushtin për heqjen e taksës e lidh me Trumpin

Ideja për reciprocitet nga konkurrentët e tij politikë po e habit të nominuarin për postin e kryeministrit nga AAK-PSD, Ramush Haradinaj.

“Është pak e habitshme kaq shpejt mu ngut me tjetërsu taksën. Është si në Shqipëri kur thoshin hajde të rrëzojmë çka ka bërë Enveri. Ti rrëzoje konceptin e caktuar ose merri përgjegjësitë por mos i prish punët që i ka kryer dikush para teje”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kushdo që vjen në pushtet, me kartën e taksës mund t’i nxjerrë Kosovës njohjen nga Serbia.

“Këta janë kah nguten me hjek taksën e do të mbesin pa kurrgjë në dorë që kur të vjen koha me marrë njohjen, nuk kanë me çka me ndërru”, ka thënë Haradinaj.

“E kisha hjek taksën vetëm nëse vjen presidenti Trump e thotë siç kishte thënë Bushi në Fushë Krujë”, citon Haradinaj fjalët e tyre të cilat thonë se Serbia duhet ta njohë Kosovën në kufijtë ekzistues.

20:16

Haradinaj: Pozicionimi fleksibil i Veselit ndaj taksës më ka nxjerr në pozitë të keqe

Kreu në detyrë i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se partneri i tij në qeveri, Kadri Veseli i PDK-së e ka nxjerrë në pozitë të keqe.

Kjo për shkak të pozicionimit të Veselit për taksën, të cilën Haradinaj e ka cilësuar si fleksbil.

“Pozicioni fleksibil i PDK-së dhe Kadri Veselit për taksën dhe menjëherë me ofertën për suspendim 120 ditësh, më ka nxjerrë mua në pozitë të keqe sepse një drejtim i marrë kish mujtë mu lëkundë dhe me marrë drejtim tjetër”, ka thënë Haradinaj në Rubikon të KTV-së.

Po ashtu, Haradinaj ka thënë se pozicioni për një marrëveshje me Serbinë, me opsionin për ndërrime të territoreve ose në rrethana të copëtimit që janë fol ka qenë problematik dhe ka “hjek shumë mu ballafaqu me të”.

“Nuk mendoj që Veseli personalisht e ka favorizu një opsion të tillë por një bashkëjetesë apo tolerancë e temave apo një qëndrim i caktuar ka munguar realisht, përkundër disa dokumenteve të shkruara se për çka qëndron PDK-ja, është hetuar se diku bashkëjetohen ndërsjellë”, ka thënë ai.

I pyetur nga kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, se a do të thotë kjo që kryeparlamentari Veseli është pajtuar me qëndrimin e presidentit të Kosovës, Haradinaj tha se “gjatë ecjes së përbashkët është hetuar te PDK dhe te z. Veseli, një aftësi për të bashkëjetuar në raste të caktuara edhe me qëndrimet e presidentit Thaçi”.

20:12

Haradinaj: Prej gjithë UÇK-së, jam më i përjashtuari për aktakuzë të mundshme nga Specialja

Ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk pret që Gjykata Speciale të ngre aktakuzë ndaj tij.

“Jam më i përjashtuari nga të gjitha figurat e UÇK-së që të ngrihet aktakuzë”, ka thënë Haraidnaj, në Rubikon të KTV-së.

Kjo për arsye se, siç ka thënë ai, materia e trajtuar është pjesë e shqyrtimit të dy proceseve të kaluara në Hagë.

“Ka qenë befasi ftesa në Hagë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka arsyetuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit me faktin se nuk ka dashur që të shkojë në Hagë si kryeministër, por ka thënë se pas kryerjes së obligimit të tij ndaj ftesës së Gjykatës Speciale ndjehet i lirë të garojë për të rimarrë pozitën e kryeministrit.

“Nuk pres që të ngrihet aktakuzë. Jam i lirë me garu”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, kreu i AAK-së, ka thënë se ka pikëpyetje në ftesën nga Specialja.

“Sa i përket pjesës juridike unë i jam përgjigjur dhe do t’i përgjigjem vazhdimisht. Por sa i përket pjesës politike, në kam mbajtur disa qëndrime politike me të cilat disa nuk janë pajtuar”, ka thënë ai.

19:10

Haradinaj akuzon Veselin për përkrahje të idesë për shkëmbim territoresh

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka akuzuar ish-partnerin e koalicionit qeverisës, Kadri Veselin, për përkrahje idesë për shkëmbim të territoreve.

Në intervistën e parë pas kandidimit zyrtar për postin e shefit të qeverisë nga koalicioni AAK- PSD, në “Rubikon” të KTV-së, Haradinaj ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkëjetoi me idenë e presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e kufijve.

“Rubikonin” e plotë mund ta ndiqni prej orës 20 në KTV dhe 21:40 në ARTA.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

isufi11/09/2019 11:42

Po RREN , Krejt RRENA.....

Shto koment

Të ngjashme