Kosova e Emiratet e Bashkuara thellojnë bashkëpunimin në auditim

Kosova e Emiratet e Bashkuara thellojnë bashkëpunimin në auditim

11 September 2019 12:00

Me ftesë të presidentit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Harib Saeed Al Amimi, auditori i përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani po zhvillon vizitë zyrtare në këtë institucion, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Qëllimi i kësaj vizite është intensifikimi i bashkëpunimit në mes të dy institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e auditimit të jashtëm të sektorit publik.

“Osmani e ka njoftuar homologun e tij lidhur me progresin e arritur të Zyrës Kombëtare të Auditimit në zhvillimin e kapaciteteve institucionale e njerëzore për auditimin e institucioneve publike në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA)”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se Al Amimi, njëherësh edhe kryesues i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) është shprehur se ka përcjellë me vëmendje të veçantë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe ka vlerësuar arritjet e konsiderueshme të saj.

Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, Auditori i Përgjithshëm i shoqëruar nga Qëndresa Mulaj, udhëheqëse e Kabinetit të AP-së dhe Fitim Haliti, drejtor për Auditimin e Ndërmarrjeve Publike do të bashkëbisedojnë me kolegët nga institucioni homolog i Emirateve të Bashkuara Arabe edhe për përvojën dhe sfidat për auditimin bazuar në rrezik, auditimet e Teknologjisë Informative si dhe menaxhimin e cilësisë në auditim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme