Kosova s’e harron 11 Shtatorin, në Prishtinë përurohet obelisku që përkujton viktimat

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 11 September 2019 19:23

Viktimat e 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkujtuar edhe në Kosovë.

Në nderim të tyre, Policia, Zjarrfikësit dhe autoambulancat, ndezën sirenat dhe dritat e automjeteve të tyre, ndërsa Garda e Nderit e Policisë së Kosovës uli në gjysmë shtizë flamurin amerikan, raporton KTV.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se në kohët më të vështira, Kosova ka pasur një aleate të fuqishme si Amerika.

18 vjet pas sulmeve terroriste në SHBA, në oborrin e saj, Qeveria e Kosovës ka vënë një pllakë memoriale, për t’i nderuar dhe kujtuar viktimat, të cilat humbën jetën në këtë tragjedi.

Pas zbulimit të kësaj pllake dhe homazheve që bënë bashkë me ambasadorin amerikan, kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova bashkë-ndjen me popullin amerikan.

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, deklaroi se kjo ditë është e zymtë për amerikanët, derisa shtoi se ndihet i nderuar që Kosova çdo vit organizon një mori aktivitetesh në nderim të këtyre viktimave.

“Amerika gjithmonë do të kujtojë ndihmën që ka marrë nga e gjithë bota dhe përgjigja e miqve tanë nga Kosova ishte e menjëhershme dhe e sinqertë. Pas sulmit, në Kosovë njerëzit mblidheshin që të marshonin dhe mbështesnin Amerikën me ndezjen e qirinjve, dhurimin e gjakut, madje disa qytetarë të Kosovës dolën vullnetarë që t’i bashkohen ushtrisë amerikane që të luftojnë në luftën globale kundër terrorizmit”, ka thënë Kosnett.

Në një aktivitet tjetër në bulevardin “Bill Clinton” janë vendosur edhe fotografi dhe janë ndezur qirinj para emrave dhe fotografive të viktimave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme