Beqaj: Në Dialog s’guxojmë të humbim territor sepse s’mund ta kthejmë pa luftë

09 October 2019 23:35
23:57

Analisti politik, Belul Beqaj, ka thënë se ideja e presidentit Hashim Thaçi për zgjidhjen me Serbinë duke i lëvizur kufijtë, nuk është pjesë e ideve të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

Me vendimin e Kushtetueses për çështjen se kush duhet të udhëheqë me Dialogun, Beqaj thotë se situata në kuptim ligjor është më e qartë.

“Nëse nesër arrihet një marrëveshje që Vjosa të jetë bartëse e dialogut, ndoshta si zv/kryeministre, e sqaruar pozicionin se kush duhet ta udhëheqë dialogun që të mos ketë shmangie sikurse në rastin e Haradinajt. Vazhdimi i procesit të dialogut tashmë është i qartë se kush duhet të jetë udhëheqës. Besoj se pozicionet do t’i kenë të njëjta Kurti dhe Osmani. Çështja e dialogut me Serbinë nuk është çështje e parëndësishme, ata e dinë se duhet të krijohet një ekip i unitetit, dhe si pjesë mbështetëse duhet të jetë edhe pjesa e opozitës. Qeveria e udhëhequr kryeministri, në dialog do ta ketë një kompozicion që e shtyn lokomotivën, e cila është e lidhur me kompozicionin e të gjithë elementeve”, ka thënë Beqaj në Interaktiv të KTV-së.

Ai thotë se ende nuk është jashtë lojës ideja e korrigjimit të kufirit si zgjidhje mes dy vendeve.

Por thotë se nëse qeveria e udhëhequr nga kryeministri do ta ketë një qëndrim unik për epilogun përfundimtar, “atëherë çojmë mesazhin edhe karshi ndërkombëtarëve që ndoshta edhe e mendojnë ndryshe epilogun përfundimtar”.

Beqaj thotë se i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dihet se, edhe nga zyrtarët e lartë të SHBA-së, konsiderohet se është njeriu më i përshtatshëm për ta drejtuar dialogun me Serbinë. “Ai ka deklaruar publikisht se zgjidhja përfundimtare duhet të jetë në kufijtë ekzistues. Por, kemi tash një paraqitje që zgjon dilemën se ndoshta çështja e ndryshimit të kufirit nuk është e vdekur, por mund të zgjohet”, ka thënë Beqaj, duke iu referuar vizitës së sotme të i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Duke komentuar idenë se Grenell do të tentojë të bind Gjermaninë se zgjidhja mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë tek ndryshimi i kufijve, analisti Beqaj tha se kjo deklaratë “nuk është thënë vetëm sa për t’u thënë”.

“Presidenti Trump është pak a shumë nxitës i zgjidhjes së problemit në atë se si merren vesh palët, qoftë edhe duke u bërë ndryshimi i kufijve. Nëse ndryshon territori, merr karakter të përhershëm, nuk mund të rikthejmë tokën kur të duam ne – kthehet vetëm me luftë. Duhet të ruajmë interesin vital të Kosovës, pavarësisht se nga kush vijnë kërkesat. Duhet të jemi të kujdesshëm karshi kërkesave edhe të miqve tanë ndërkombëtarë”, deklaron analisti Belul Beqaj.

“Nuk do të them se rezistenca duhet të jetë në fuqi të paparamenduara. Vetëm po them se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse humbja e interesave vitalë, siç është Ujmani... Gjatë kohës së Administratës Trump, politika e jashtme ka pasur vetëm dështime. Pika e vetme ku mund të korr sukses i ka mbetur Kosova. Nuk kemi nevojë ta bëjmë me nguti diçka që s’e kemi bërë qe 7 vjet. Paramendojeni pjesën veriore të Kosovës pa Ujmanin e pa Trepçën – do të ishte epilog katastrofik. Duhet të jemi të kujdesshëm të mbrojmë interesat vitale”, u shpreh ai.

Duke folur për rolin e Presidentit të Kosovës karshi dialogut me Serbinë, Beqaj thotë se ai rol tashmë është vetëm me karakter konsultativ, në bazë të verdikitit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pikënisja e dialogut duhet të jetë baza juridike. Ne i respektojmë amerikanët, dhe ata janë shembull i demokracisë për ne. Ne duhet, në momentin e duhur, t’i shmangemi disa veprimeve që tentojnë të zgjidhin problemin që s’është zgjidhur për 7-8 vite, të zgjidhet për një periudhë të shkurtër – brenda mandatit të Administratës Trump. Unë s’jam anti-amerikan nëse them kështu, sepse edhe atje Demokratët janë kundër Trumpit. Përgjegjësia e Presidentit mbetet në përfaqësim të vendit, por politikën, kreativitetin e dialogut, do ta udhëheqë kryeministri dhe çdo anashkalim nga kjo, do të jetë anti-kushtetues e anti-ligjor”, ka theksuar Beqaj.

23:35

Beqaj: Fitorja e opozitës, ndryshim i vogël me shpresë të madhe

Analisti politik Belul Beqaj ka thënë se fitorja e opozitës në zgjedhjet e 6 tetorit nuk është ndryshim i madh, por është ndryshim i vogël e me shpresë të madhe.

Sipas tij, shpresa e popullit ka të bëjë në rend të parë me fillimin e funksionimit të sundimit të ligjit.

“S’e di a do të pajtohesha se a është ndryshimi i madh. Ndryshim i vogël, por shpresa është e madhe. Realisht mendoj që ka ndodhur një ndryshim për faktin se po përcillet në perëndim politika e komandantëve dhe po lind me potenciale premtuese politika e të rinjve të cilët megjithatë mendoj se duhet të sjellin disa ndryshime që do të kthejnë shpresën për politikë krejt tjetër karshi asaj që ka qenë, për faktin se edhe premtimet gjatë fushatës, ishin të stërmadhuara, por realisht kishin një bazë e cila në të njëjtën kohë jep shpresë se së paku do të fillojë të funksionojë sundimi i ligjit. Mendoj se ky ndryshim i vogël me shpresë të madhe, para së gjithash ishte reflektim i zhgënjimit me politkëbërësist sesa që ishte meritë e fushatës apo shpresë për ndryshime aq të mëdha. Duhet të jemi realë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, për ndryshimin e madh duhet të mbahen dy apo tri parë zgjedhje.

“Duhen dy-tri parë zgjedhje për ndryshimin e madh. Të jemi të matur se ndoshta pritjet janë të mëdha, por edhe zhgënjimet e mëdha për ata që u kanë dhënë votën këtyre”, ka shtuar ai.

Sipas Beqajt, Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve dhe LDK-ja që doli e dyta e që janë afër arritjes së koalicionit paszgjedhor, nuk duhet të nguten për të arritur marrëveshjen. Ai ka thënë se kryesore duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje kualitative.

“Krijimi i qeverisë së re është domosdoshmëri. Por s’ka të bëjë me urgjencën sa për nivelin kualitativ të arritjes së marrëveshjes. S’duhet të bëhet qeveri që qysh nesër të ketë disonanca si qeveria që ishte. Më mirë të bëhet qeveri me personalitete që mbulojnë në kuptimin kompetent dikasteret e caktuara. Që ka balancin e respektimit të marrëveshjeve programore. Janë dy parti me programe ideologjikisht të ndryshme. Të gjendet emëruesi i përbashkët për të qenë më efektivë me programe”, ka deklaruar më tej ai.

Beqaj ka komentuar edhe rezultatet e humbësve të këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, në këto zgjedhje është treguar ngritje e vetëdijes politike te qytetarët. Për PDK-në ka thënë se tash në opozitë i duhet rishikim kualitativ i vetes dhe të bëjë reforma të menjëhershme.

“Mendoj se është moment i jashtëzakonshëm që kjo parti të vazhdojë thellimin e reformave. Veseli ka përgjegjësi për këtë gjendje që është krijuar. Në fillim ishte hije e dobët e Hashim Thaçit e në fund bëri veprim që la të duket si hije e dobët e Hashim Thaçit e kjo bëri që të shndërrohet në parti opozitare e s’është fundi i botës. Tash duhet të bëhet një rishikim kualitativ në kuadër të organizimit dhe reformat të brendshme që për dikë mund të jenë gjithsesi të dhimbshme, por do të ketë të rinj që gjejnë veten. Duhet analizë e thuktë pse kanë ardhur në opozitë e s’ka vështirësi për t’i gjetur arsyet. Është lehtë të bëhet reforma”, ka thënë ai për PDK-në.

Për AAK-në, sipas Beqajt, ajo mori rezultatin për shkak të politikës së keqe në qeverisjen e fundit.

“Këto zgjedhje së paku kanë treguar diçka brenda 20 vjetëve. Është ngritje e vetëdijes politike. Votuesit edhe kanë zgjedhur jo veç votuar. Ndëshkuan politikën e keqe. Kjo është testi i parë se ka nisur vetëdijesimi politik. sikur të mos ndëshkohej kjo do të vazhdonte në pakufi shkelja. Mendoj se Haradinaj ka ardhur si aventurier në politikë dhe do të përfundojë ashtu”, ka shtuar ai.

Debakël e ka quajtur rezultatin e koalicionit Nisma-AKR-PD dhe të PSD-së. Koalicioni i udhëhequr nga Fatmir Limaj është ende nën prag, ndërsa PSD që ishte pjesë e koalicionit me AAK-në, ka dhënë shenja se s’do të jetë në Kuvend.

“Te Nisma-AKR-PD ka debakël edhe për kuptimin e aspektit strategjik, por edhe për etikë e moral. Kosova është megjithatë treg politik i vogël. Në kuadër të këtij tregu të vogël, burimi i vogël i vlerave socialdemokrate mbetet te VV-ja. Ishte dikur Partia Socialdemokrate, por pas krijimit të LDK-së ajo s’u formua në atë masë për të qenë e përfillshme. As tash s’u forcua. Vlerat autentike kanë mbetur te VV-ja. Te Nisma s’kanë harruar qytetarët që Limaj ishte 15 vjet pjesë e PDK-së. Mes përcaktimit që t’i besojnë dikujt me vlera autentike apo dikujt që ka menduar se po gjen strehë të përkohshme, qytetarët janë përcaktuar dhe kjo s’është keq. Ata duhet të bëjnë rishikim te vetja, e transformimet e shpejta s’duhet gjykuar. Por më duket se përshtypja te qytetarët ishte se kjo u bë vetëm për të fituar politikisht. Debakël politik e moral”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme