Konfindustria, e shqetësuar me moskrijimin e tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë Foto: Koha

Konfindustria, e shqetësuar me moskrijimin e tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë

20 October 2019 10:43

Konfederata e Industrisë – Shqipëri dhe Kosovë, “Konfindustria”, ka shprehur shqetësimin për, siç thotë, ngadalësimin e dukshëm të procesit të krijimit në praktikë të tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë, i ka dhënë mbështetje programit dhe deklaratave të kreut të partisë fituese të zgjedhjeve të fundit në Kosovë, Albin Kurtit, për domosdoshmërinë strategjike të jetësimit sa më të shpejtë të tregut të përbashkët kombëtar.

Buxhuku vlerëson, se është shumë më e rëndësishme dhe e shpejtë, parë interesin afatgjatë krijimi i Tregut Kombëtar, krahasimisht përpjekjeve politike të mirëpritura, por të paqarta për krijimin e të ashtuquajturit “Mini Shengen” Rajonal.

“Konfindustria vlerëson, se pavarësisht marrëveshjeve të shumta dhe shfaqjeve politike ndërmjet qeverive të dy shteteve shqiptare jo vetëm nuk është shënuar përparim, por janë bërë hapa mbrapa. Një numër i madh i marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara kanë mbetur të pazbatuara dhe për më tepër janë shtuar pengesat edhe të natyrave ‘fizike’, inspektoriateve, licencave, lejeve, etj. Si p.sh vendosja e taksës së ‘Rrugës së Kombit’, që kanë vështirësuar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë Buxhuku në një komunikatë për media.

Pasojë e problematikave të mësipërme, sipas Buxhukut, është edhe rënia e ndjeshme e volumeve të import- eksportit të muajit shtator 2019 kundrejt muajit paraardhës me përkatësisht mbi 10% dhe mbi 6%.

Prej vitesh, Buxhuku thotë se marrëdhëniet tregtare ndërmjet shteteve shqiptare nuk kanë pësuar rritje të dukshme, ndërsa shton se investimet e përbashkëta në sektorët strategjikë si energji, infrastrukturë, transport, etj. nuk janë ende të pranishme.

Ai thotë se është shqetësuese se ka përpjekje të qarta nga grupe monopoliste të lidhura me vendimmarrjen politike në të dy shtetet, që të mbajnë mbyllur tregjet përkatëse, duke marrë shpeshherë edhe pamjen e një lufte tregtare të mirëfilltë.

“Mbështetja e gjatë te ortakësia me vendimmarrjen politike, mungesa e investimeve në teknologji, burime njerëzore, etj. ka ulur ndjeshëm aftësinë e konkurrencës së grupeve të mëdha të biznesit në të dy shtetet”, ka thënë Buxhuku.

Konfindustria vlerëson, se krijimi dhe funksionimi sa më i shpejtë i Tregut të Përbashkët Shqipëri-Kosovë si hap i parë, përtej interesave të ngushta të grupeve të caktuara të biznesit, paaftësisë dhe korrupsionit politik, mbetet një nga mënyrat e vetme, që mund të japi shpresa për shpëtim nga falimentimi i sigurt edhe për vetë bizneset e mëdha të dy shteteve shqiptare.

“Në rast të kundërt, vazhdimi i procesit të pashmangshëm të integrimit në BE do të sjelli në mënyrë të pashmangshme, që Shqipëria dhe Kosova do të mbeten pa biznese kombëtare të mëdha”, ka vlerësuar në fund Buxhuku.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme