5 perditesime
19:10

Në Gjykimin për “Pronto”, Beqaj e quan veten “të persekutuar politikisht”, Grabovci hesht

Protagonisti kryesor i përgjimeve “Pronto” Adem Grabovci, i cili në këto telefonata dëgjohet tek intervenon në shumë raste punësimi në institucione publike, të hënën ka vendosur që të mbrohet në heshtje për akuzat që e rëndojnë atë.

I bindur se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale, Grabovci ka thënë se për këto akuza ai kishte dhënë deklaratë para prokurorit të EULEX-it në vitin 2014, andaj nuk ka çfarë të flasë më shumë.

Tejet i nervozuar gjatë marrjes në pyetje këtë të hënë ishte i akuzuari tjetër, Ilhami Gashi, i cili ka mohuar kategorikisht se kishte ushtruar ndikimin e tij për ta punësuar Afrim Dautin në Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Gashi për një moment, është përplasur edhe me avokatin e tij mbrojtës derisa ishte duke u marrë në pyetje nga ai.

E pas 5 minutash pauze ai është rikthyer me kërkesën që dëshiron të mbrohet në heshtje.

Në heshtje para gjykatës janë mbrojtur edhe e akuzuara Arbenita Pajaziti dhe Njazi Kryeziu.

Pajaziti i ka dorëzuar Gjykatës një letër përmes së cilës, sipas saj, i dëshmon gjykatës se ajo nuk kishte kurrfarë funksioni publik për kohën kur ajo akuzohet.

Nga 5 të akuzuarit, këtë hënë i vetmi që ka vendosur të deklarohet para trupit gjykues është ish-ministri i PDK-së Besim Beqaj.

Ai përreth gjysmë ore gjatë marrjes në pyetje nga ana e avokatit të tij ka folur për veprimet të cilat sipas tij, gjithmonë kanë qenë konform ligjit.

Por, Beqaj ka refuzuar të përgjigjet në disa prej pyetjeve të prokurores, për punësimet dhe kryesisht bisedat e tij me Adem Grabovcin.

Prokurores gjithashtu, gjykatësi nuk i ka lejuar një pyetje më specifike.

Në këtë seancë, gjithashtu prokurorja Drita Hajdari, ka propozuar që të administrohen si prova, dokumente të ndryshme që lidhen me përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trainkos” dhe “Infrakos”, procese këto që kishin ndodhur në vitet 2011 dhe 2012.

Në seancën e radhës, e cila do të mbahet në fund të muajit nëntor do të dëgjohen edhe 6 të akuzuarit e tjerë në këtë rast.

Të akuzuar në rastin “Pronto” janë 11 persona, në mesin e tyre edhe zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të PDK-së, përfshirë Adem Grabovcin, Besim Beqajn e Zenun Pajazitin.

11:31

Rasti “Pronto”, Beqaj thotë se s’ka qenë në kompetencën e tij zgjedhja e drejtorëve të ndërmarrjeve publike

Në gjykimin e rastit “Pronto” është duke u marrë në pyetje Besim Beqaj, i cili ka sqaruar se si janë zgjedhur drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe si është bërë mbikëqyrja e ndërmarrjeve publike.

Beqaj ka thënë se shpallja dhe anulimi, pastaj rishpallja për drejtor të ndërmarrjeve publike i takojnë Qeverise dhe Zyrës së Kryeministrit, raporton KTV.

Ish-ministri ka thënë se nuk ka qenë në kompetencë të tij të shpallë, anulojë apo rishpallë konkursin për drejtor të ndërmarrjeve publike.

“Detyrë e një ministri është që të zbatojë programin e qeverisë së një vendi dhe kjo kërkon këmbim të mendimeve me synim që informacioni të jetë i plotë dhe të gjitha veprimet të bëhen sipas ligjit. Nuk e kam kuptuar dhe as e kuptoj se ku është definicioni i bashkëpunimit dhe se si një bisedë mund të shndërrohet në krim. Pra nuk kam pasur kompetencë dhe as përgjegjësi ligjore”, ka thënë Beqaj gjatë marrjes në pyetje nga ana e avokatit të tij, Besnik Berisha.

“Personalisht ndihem i përndjekur politikisht, i persekutuar politikisht, sepse veprimet të cilat bëhen për çfarëdo shpallje e rishpallje janë vendime të parapara me ligj e kjo nuk nënkupton në asnjë rrethanë që ka asnjë lloj kriteri të përkatësisë politike në përzgjedhje”, ka thënë më tutje Beqaj derisa ka mohuar se ka qenë në dijeni kush kanë qenë aplikuesit potencialë për pozitën e kryeshefit për “Trainkos” dhe “Infrakos”.

Beqaj me tutje ka mohuar të ketë ndikuar në përzgjedhjen e U.D të Telekomit dhe tha se “Nuredin Krasniqi gjithmonë në mungesë të kryeshefit është emëruar U.D. i Telekomit”.

11:08

Rasti “Pronto”; pas konsultës me avokatin, edhe Gashi vendos të mbrohet në heshtje

Pas pauzës, edhe Elhami Gashi ka vendosur që të mbrohet në heshtje derisa ka thënë se nuk është në gjendje më që të përgjigjet.

10:42

Rasti “Pronto”, Gashi deklarohet i pafajshëm për ushtrim ndikimi në punësimin e Afrim Dautit në ARC

I akuzuari tjetër Elhami Gashi gjatë marrjes në pyetje ka mohuar të ketë ushtruar ndikim për punësimin e Afrim Dautit në Agjencinë e Regjistrimit Civil. Ai ka thënë se ky person është punësuar sipas ligjit dhe se vendimi për punësimin e tij është bërë përmes komisionit dhe nënshkrimit nga ana e kryeshefit ekzekutiv të kësaj Agjencie.

“Atë koha e kam vlerësuar Islam Cakajn me më së shumti pikë. Ku është ndikimi dhe shkelja këtu? Ndërsa unë me Adem Grabovcin jam mik që 30 vite dhe nuk mund të ma ndaloni këtë edhe të më pushkatoni”, ka thënë Gashi më tutje në fjalën e tij derisa atij disa herë i është tërhequr vërejtja nga trupi gjykues për shkak të nervozitetit të tij.

Avokati i Gashit, Gëzim Kollqaka, ka kërkuar 5 minuta pauzë për klientin e tij në mënyrë që të konsultohet me të dhe ta udhëzojë atë se si të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

Kërkesa është aprovuar nga gjykata derisa vet Gashi ka vazhduar të përplaset me avokatin e tij duke i thënë se “nuk mundesh të më tregosh ti çka të flas e si të përgjigjem”.

10:22

Rasti “Pronto”, Grabovci e Pajaziti mbrohen në heshtje

Pas një pauze disa minutëshe, trupi gjykues erdhi në përfundim që provat e propozuara të konsiderohen si prova dhe të administrohen si prova të administruara, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti.

“Në atë kohë jam marrë në pyetje nga Prokurori i EULEX-it. Kam shpreh gatishmërinë që të bashkëpunoj dhe të jap kontributin që të zbardhet e vërteta dhe konsiderojë se kjo çështje për mua është e përfunduar me vendimin e drejtë që ka dhënë prokuroria e EULEX-it dhe vlerësoj se këto prova është dashur me kohë të asgjësohen duke iu referuar ligjit që e thotë shumë qartë se pas përfundimit të hetimeve dhe nxjerrjes së vendimit për ndërprerjen e hetimeve që rezultojnë pa fakte për vepra penale. Këto prova vlerësohen të asgjësuara, të pavlera. Sikur ta kish pas një element vepra penale, jam shumë i sigurt se do të isha përgjigj. Atëherë nuk kam çka të shtojë më tepër por do të isha i gatshëm të përballesha me çdo dëshmi dhe dëshmitar dhe t’i njoh ata njerëz që iu kam bërë të padrejtën gjatë tërë jetës sime. Nuk kam çka të përgjigjem. Po e shfrytëzoj të drejtën me u mbrojt në heshtje”, ka thanë Grabovci në deklaratën e tij, pasi është marrë në pyetje nga avokati Kujtim Kerveshi.

E akuzuara Arbenita Pajaziti, gjithashtu ka vendosur të mbrohet në heshtje derisa ajo i ka dorëzuar një vërtetim gjykatës ku dëshmohet se ajo nuk ka pasur asnjë pozitë zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në asnjë institucion tjetër.

09:57

Vazhdon gjykimi i “Prontos”, prokurorja Hajdari thotë se provat e paralajmëruara gjenden në shkresat e lëndës

Provat të cilat prokurorja në rastin “Pronto” kishte paralajmëruar se do t’i propozonte këtë të hënë, sipas Drita Hajdarit, të njëjtat gjenden në shkresat e lëndës.

Hajdari më tutje ka thënë se këto prova janë pjesë e raportit policor i propozuar që të administrohet si provë në aktakuzë.

“Këto prova kanë lidhje të ngushtë me dëshmitë e dëshmitarëve nga seanca e kaluar. Në kuadër të këtij raporti, propozoj që të administrohen si prova shkresa e ndërmarrjes së hekurudhave ‘Trainkos’, konkursi për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, raporti mbi vlerësimin dhe rangimin dhe krijimin e listës së ngushtë të kandidatëve për pozitën kryeshef në ‘Trainkos’ 07.2011 dhe ‘Infrakos’”, ka thënë Hajdari.

Më tutje, Hajadari ka propozuar që të administrohet si provë edhe vendimi i qeverisë së Kosovës i datës 21.12.2011 për anulimin e konkurseve për kryeshfa ekzekutiv në “Trainkos” dhe “Infrakos”.

Derisa mbrojtja e Grabovcit dhe Beqajt kanë kundërshtuar këto prova, trupi gjykues është tërhequr për disa minuta për t’i shqyrtuar këto propozime të prokurorisë.