Kurti e Kamberi flasin për një universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc

Kurti e Kamberi flasin për një universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc

05 November 2019 17:52

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, të shoqëruar nga Shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në këtë komunë, Agron Islami.

Kamberi, sipas njoftimit të VV-së, ka shprehur dëshirën që institucionet shtetërore të formohen sa më parë, në mënyrë që qeveria e re t’ia fillojë punës për ndryshimet që qytetarët e Kosovës kanë votuar.

Kurti e njoftoi Kamberin se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik që siguron progres socio-ekonomik për gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim.

Duke diskutuar për zhvillimet në Luginë e Bujanoc, në këtë takim u theksua nevoja e angazhimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët atje. “U fol për nevojën për universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, për fondin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës të miratuar para gati 6 vjetësh, gratë shqiptare që për të lindur shkojnë nga Bujanoci në Vranjë meqenëse materniteti i famshëm në Preshevë është jashtëspitalor etj”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme