4 perditesime
23:15

Basha: Askush s’mund ta përdhosë luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi

Kryedemokrati shqiptar, Lulzim Basha përmes një statusi në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me ftesën që Gjykata Speciale e Hagës i ka bërë kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

“Askush nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij të thirrur në Hagë do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë nga pushtimi dhe shtypja çnjerëzore”, shprehet Basha.

22:36

Limaj e quan të padrejtë ftesën e Speciales ndaj Veselit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka quajtur të padrejtë ftesën e Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ai përmes një postimi në Facebook të padrejta njëlloj janë edhe ftesat për drejtuesit dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së.

“Drejtuesit e UÇK -së, ashtu siç kanë ditur disa herë ta mbrojë pastërtinë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe këtë radhë z. Kadri Veseli do dijë ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, alternativa e vetme është përballja me fakte kundër shpifjeve të armiqve të Kosovës. 

“Jam i bindur se Kosova do ta kalojë me sukses edhe këtë sfidë dhe se drejtësia do të ngadhënjejë përballë shpifjeve”, ka shkruar tutje ai.

21:21

Haradinaj: Veseli do ta mbrojë pastërtinë e luftës së UÇK-së

Edhe i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar as lajmit se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Veseli ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, duke shtuar se do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet.

Haradinaj është shprehur i bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta e tyre.

“Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”, ka shkruar Hardinaj.

18:36

Edi Rama e quan të padrejtë ftesën e Speciales për Veselin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas lajmit se kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, është ftuar nga Gjykata Speciale.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se sado e padrejtë të jetë ftesa e Speciales për luftëtarët e UÇK-së, nuk mbetët tjetër veçse e drejta për ta treguar të vërteten e fituar me luftë nga një popull.

Ai thotë se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, populli i Kosovës do të ishte ende i mohuar në të drejtën e tij.

"Sado e padrejtë ftesa për në Gjykatën Speciale për luftëtarët e UÇK, nuk mbetet tjetër veçse e drejta për të treguar të vërtetën për të drejtën e fituar me luftë nga një popull, që pa Ushtrinë Çlirimtare do të ishte ende i mohuar në të drejtën e tij! Solidarë me Kadri Veselin", ka shkruar Rama.

18:05

Thaçi: Nuk ka gjykatë që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ftesës së Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Veseli ashtu si edhe dhjetëra luftëtarë të UÇK-së të ftuar nga Specialja, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.

Ai thotë se pa ka pasur nderin që për lirin e Kosovës, nga fillimi të rrugëtoj me Veselin, duke shtuar se në çdo hap është ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij tash e tri dekada.

Ai thotë se nuk ka gjykatë, tendencë e as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim.

“Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin”, ka shkruar ai.

“Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi. Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij”, ka shkruar Thaçi tutje.

Lidhur me ftesën e Gjykatës Speciale ndaj Veselit ka reaguar edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, thirrja nga Specialja është vetëm një betejë e fundit e padrejtë për t’i shërbyer Kosovës dhe luftës së pastër të UÇK-së.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kosova dhe djemtë e saj do të dalin faqebardhë sepse krime ka kryer vetëm Serbia, dhe agresion kanë ushtruar forcat ushtarake dhe paramilitare serbe

“Kadri Veselin e njoh mbi 30 vite. Ai është i njëjti edhe sot, si dikur - ushtar i vendit të vet, i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Veprimi prej burrështetasi sot, flet për Kadriun që e njohim të gjithë, i matur dhe i vetëdijshëm se fati i Kosovës është para atij personal. Ne në PDK, jemi krenarë dhe besimplotë se sikur në luftë, edhe në paqe, dijmë t’i dalim zot Kosovës”, ka shkruar ai.

Image