Babai i Roshiqit akuzon Policinë e Kosovës se i biri u keqtrajtua për “rastin Ivanoviq”

Teuta Arifaj Teuta Arifaj 08 November 2019 19:47

Të arrestuar para pothuajse një viti, Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq dhe Dragisha Markoviq, besohet se ishin të lidhur ngushtë me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Lidhja e Roshiqit me këtë krim bazohej në një letër që u gjet në xhepin e viktimës, e në të cilën ishte e shënuar targa e veturës që i takonte familjes së tij.

Një vit pas arrestimit, babai i Roshiqit, Nebojsha, pohon se i biri i tij është cak i torturës së jashtëzakonshme. Ai thotë se Policia e Kosovës kërkon të nxjerrë nga ai pranimin për ta akuzuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe shtetin serb për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit. Ai tha për Kosovo Onlajn se kjo torturë ndaj birit të tij vazhdon tash e një vit.

“Kur isha para dy ditësh në vizitë tek ai, më ka thënë që më nuk mund të durojë torturën, qoftë fizike qoftë psikike. Nga momenti kur e morën nga këtu, iu nënshtrua keqtrajtimit fizik, e rrahën dhe bënin fotografi me të. Pas intervistimit disaorësh, njëri prej policëve i cili u prezantua si Besim, i ka thënë se duhet të deklarojë që Milan Radoiçiq dhe Serbia e organizuan dhe morën pjesë në vrasje dhe se pas kësaj do të lirohet menjëherë. Nëse s’e pranon këtë do të dënohesh dhe burgosesh me 5 deri në 10 vjet”, ka thënë ai.

Roshiqi theksoi se i biri i tij nuk e pranoi këtë kushtëzim, andaj është keqtrajtuar fizikisht akoma më shumë. Ai tha se i biri i tij vazhdon t’i rezistojë presionit për të pranuar përfshirjen e Radoiçiqit dhe Serbisë në vrasjen e Ivanoviqit, por nuk e di se sa do të mund të durojë. Sipas tij, Marko është në gjendje të rëndë psikike dhe një herë tentoi të vetëvritej.

Nebojsha Roshiq tha se për rastin e të birit të tij ishin të interesuar edhe përfaqësuesit e EULEX-it, por prokuroria e ka refuzuar. Babai i Markos përmendi edhe disa keqpërdorime, e ankesë për këtë kishte edhe avokati Mahmut Halimi.

“Avokati është ankuar në secilin vazhdim të paraburgimit, sepse Gjykata e Apelit është përgjegjëse të përgjigjet brenda 48 orëve, e atyre u duhen 25 ditë. Kjo përsëritej çdo dy muaj kur vendosej për paraburgim. Jemi ankuar edhe në Gjykatën Supreme sepse të gjitha vendimet ishin të njëjta, pa e ndryshuar as një presje dhe kjo s’dha rezultate”, ka thënë Roshiq.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka thënë se nuk komenton deklarimet e askujt, përderisa të gjitha veprimet i ndërmerr konform autorizimeve qw ka.

Marko Roshiq dhe Nedelko Spasojeviq, të cilët u arrestuan në aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, me 23 nëntor të vitit të shkuar, ndodhen në paraburgim tash e një vit. Ata dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb nga veriu, Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018.

E së fundmi, edhe prokurori Sylë Hoxha kishte paralajmëruar ngritje të aktakuzës kundër këtyre dy serbëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme