14:39

PZAP-i çon në rinumërim 1472 vendvotime dhe anulon votat e ardhura nga Serbia

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i ka njoftuar se pas ankesave të parashtruara nga subjektet politike dhe kandidatet për deputet, të cilat janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve e përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ, me datën 07.11.2019, ka marrë vendim që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.

“PZAP-i 53 ankesa i ka pranuar të bazuara prej tyre lidhur me 52 ankesa paneli ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në, për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia”, thuhet në vendimin e PZAP-it.

Paneli lidhur me ankesat ka vendosur që 23 të shpallen të pasafatshme dhe të palejuara, 25 t’i refuzojë si të pabazuara si dhe 1 ankesë është konstatuar e tërhequr.

12:20

PZAP-i deri në orën 15:00 pritet të shpall vendimin për ankesat pas rezultateve finale të KQZ-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 do të bëjë publik vendimin për ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatet për deputet të cilat janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve e përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve – KQZ, me datën 07.11.2019.

PZAP-i, në një njoftim për media, ka thënë se ankesat janë pranuar deri në orën 10:50 të ditës së sotme, raporton Koha.net.

Ndërkaq, pas njoftimit të palëve me vendime, PZAP-i thotë se rreth orës 15:00 të ditës së sotme do të lëshohet komunikatë për medie, si dhe “sa ma pare qe është e mundur, PZAP-i do të publikon në Ueb Faqen zyrtare të PZAP-it vendimet lidhur me ankesat e parashtruara ndaj vendimeve të KQZ-së pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve”.

09:15

PZAP-ja vendos sot për ankesat e partive politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pritet gjatë ditës së sotme t’i bëjë të ditura vendimet në lidhje me ankesat e partive politike për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, përfshirë edhe atë të Nismës Socialdemokrate për të mos pranuar pakot e ardhura nga Serbia.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur rezultatet përfundimtare të enjten e kaluar, pas së cilës partitë politike kanë pasur 24 orë afat, përkatësisht deri të premten, që t’i dorëzojnë ankesat e tyre në PZAP.

Paneli Zgjedhor ka pasur kohë 72 orë që t’u japë përgjigje palëve të ankuara, afat ky që përfundon gjatë ditës së sotme.

Ky institucion bëri të ditur se deri në ora 10.50 të datës 8 nëntor, ka pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë, prej të cilave më së shumti ka pasur nga partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42, pasuar nga LDK me 23, PDK 12, NISMA-AKR-PD 6, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa dhe 9 ankesa nga partitë minoritare. Nga kandidatët për deputetë të cilët janë ankuar në PZAP, janë Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Mufera Shinik nga KDTP-ja, shkruan ksp.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatë Supreme, brenda 24 orëve, pastaj ka kohë 72 orë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatë Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit nga Serbia.

Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat eventuale nga subjektet politike.

KQZ më herët ka deklaruar se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, data e saktë e së cilës ende nuk dihet.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga ana e KQZ-së, fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, para LDK-së dhe PDK-së, derisa koalicioni AAK-PSD renditet në vendin e katërt. Rezultatet janë kontestuar nga Nisma Socialdemokrate, e cila i ka quajtur ato të fabrikuara pasi që janë numëruar edhe votat nga Serbia. Kjo parti, e cila në zgjedhje ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në, sipas rezultateve të KQZ-së, ka mbetur jashtë Kuvendit duke marrë 4.984% të votave.