Sipas IKD-së në Kosovë mbetet sfidë konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme

Sipas IKD-së në Kosovë mbetet sfidë konfiskimi i pasurisë së jashtëligjshme

18 November 2019 12:19

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, ka organizuar tryezën “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”.

Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se çështja e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mbetet ende një temë tabu.

Ajo ka thënë se raste të tilla gjyqësore janë mbetur të pazgjidhura që nga viti 2008.

“IKD vazhdimisht ka adresuar çështje lidhur me korrupsioni por me kalimin e viteve kemi një zvogëlim (përmirësim). Një nga çështjet më të rëndësishme apo pasuria e fituar në mënyrë të kundërligjshme mbetet tabu meqenëse mungon kontrolli gjyqësor. 16 raste janë zgjidhur ndaj 81 personave. Ndaj 69 personave janë mbyllur rastet. IKD ka shprehur shqetësime me mungesën e kontrollit gjyqësor të procedurës. Disa nga rastet më të vjetra është që nga viti 2008 është parashtrua nga Policia e Kosovës dhe ende mbetet e pazgjidhur në prokurorinë e Kosovës në Prishtinë”, ka thënë Rezniqi.

Por ajo ka bërë të ditur se këtë vit është rritur numri i të dënuarve me burg për korrupsion.

“24 aktakuza për vepra penale të korrupsionit ndaj 46 personave, por prokurori shtetit nuk ka informacion a ka pas kërkesë të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme. Nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Duhet të shpërndahet përgjegjësia dhe llogaridhënia. IKD tashmë ka hyrë në vitin e 6 të monitorimit të gjykata të Kosovës dhe vetëm gjatë kësaj periudhe kohore IKD ka monitoruar 803 seanca gjyqësore. Karakteristikë e viti 2018 është edhe shtyrja e seancave , 216 seanca janë shtyrë. Këtë vit është rritë numri i dënimeve më burg”, tha ajo.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë që politika më e ashpër ka qenë në rastet e përgjithshme se sa në rastet e korrupsionit.

“Politika ndëshkimore në Kosovë ka qenë e kritikuar sepse në dënimet e shqiptuara nuk ka një konsistence të dënimeve. Në Kosovë nuk kemi një politike uniforme të dënimeve. IKD nuk ka vlerësuar aktgjykimet por është marrë masë se si duhet të veprohet në këto aktgjykime. Gjykata kanë shqiptuar 39 dënime me kusht , 76 me burg dhe 36 me gjobë. Te rastet e korrupsionit kemi 14 dënime por 9 prej tyre me gjobë dhe 5 me burg efektive dhe kjo i bie që politika me e ashpër ka qenë ne rastet e përgjithshme se sa në rastet e korrupsionit”, tha Shala.

Shawn Waddoups, drejtor i INL-së në Kosovë, ka thënë se shoqëria civile ka dhënë një kontribut të madh në këtë fushë dhe se po punojnë së bashku për të ndihmuar institucionet përkatëse në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne kemi shoqëri të fortë civile që zëri i tyre të dëgjohet. Është një kontribut i madh se si i kemi objektivat e ndara në sundimin e ligjit në Kosovë. Ambasada e ka mbështetur sektorin e drejtësisë në Kosovë dhe Gjykata Supreme e ka publikuar një udhëzues dhe është një mjet shumë i mirë dhe kemi parë disa aplikime që janë shumë pozitive. Konfiskimi i aseteve është shumë fundamental, dhe duhet të punojmë së bashku për luftimin e korrupsionit në Kosovës dhe sundimin e ligjit”, tha ai.

Ndërkaq, Enver Peci kryetar i Gjykatës Supreme në Kosovë thotë se zgjatja e gjykimeve po përcjellët gjithnjë.

“IKD vazhdimisht po ec më shpejt se gjykata në përmirësimin e punëve të tyre. Është fakt qe ka përmirësime. Por ne duhet të jemi më profesional. Raportet lidhen ngushte me një problematik të sistemi gjyqësor në Kosovë. Stërzgjatja e gjykimeve është një periudhë në vazhdimësi e cila po na brengos dhe ne si institucione i kemi dhënë prioritet rasteve të korrupsionit”, ka thënë Peci.

Kryesuesi i këshillit Gjyqësor të Kosovës Skënder Çoçaj thotë se ka progres në sistemin e drejtësisë por duhet ende të punohet.

“Ka progres edhe pse është shumë i vogël. Ky prezantim ishte material shumë i mirë dhe besoj që ka me na shërbye shumë sepse kemi nevojë që të kemi rezultate më të mira. Ne në vazhdimësi po punojmë që të aplikohet ky udhëzues”, ka thënë Çoçaj.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se lufta kundër korrupsionit nuk mund të ketë sukses pa prokuror kompetent.

“Unë konsideroj që këto raporte janë mjet i mirë për të ndikuar në institucione. Është krijuar një perceptim në lidhje me korrupsionin në Kosovë por neve na mbetet që ta trajtojmë deri në fund dhe është shume e nevojshme se si ne po i qasemi në politikat tona të brendshme. Ka angazhime të policisë në luftimin e korrupsionit. Task-forca anti korrupsion pa udhëheqjen e prokurorit kompetent nuk mund të ketë sukses”, ka thënë ai.

Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arben Ismajli, ka thënë se sistemi prokurorial po mundohet të kryejë punën e saj dhe këto raste i ka prioritet.

“Ne kemi qenë me sekuestrimet dhe shumën e rastet që kemi pas , por nuk ka pas aq sa janë paraqit. Një lëndë që nga viti 2008 dhe sistemi prokurorial është angazhuar që lëndëve ti jep shumë prioritet deri në zgjidhjen e tyre. Kjo lëndë ka mbet për shkak të pengesave të ndryshme. Shqetësim është edhe shtyrja e seancave por këto janë shty edhe nga mungesa e prokurorëve”, ka thënë ai./EO/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme