11:35

BQK-ja thotë se kanë lënë mundësi të hapur që një kompani e huaj të rishikojë çmimin e sigurimeve

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, thotë se kanë lënë edhe një opsion rreth çmimit të tarifave për sigurimin e automjeteve.

Ai tha se nëse s'ka pajtime, një kompani e huaj mund të rishikojë çmimet dhe të merret një vendim. 

“Jemi dakord që të rishikohet çmimi, mund të vendos ndonjë kompani ndërkombëtare”, tha ai.

“Nëse jemi dakord të gjithë, e kemi lënë domenin që një kompani e huaj të vendos për çmimin e tarifave, nëse mendohet se kjo është e lartë”, tha ai, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Sokol Havolli, zv/guvernator, tha se përqindja prej 26.6 %, "nuk është shkelje ligjore". 

Havolli, tha se në bazë të ligjit BQK-ja ka rregullore, që i jep kompetenca të përcaktojë tarifa.

11:20

Mehmeti: Vendimin për tarifat e kemi marrë për të mbrojtur polisë mbajtësit

Banka Qendrore e Kosovës mbajti konferencë për media, ku temë ishte tarifa e vendosur nga kompanitë e sigurimeve.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se ky vendim është marrë “për të mbrojtur mbajtësit e polisave”.

“Ne kemi qëllim edhe të mbrojmë polismbajtësit. Ne kemi pasur edhe rekomandim nga FMN, që kanë vlerësuar se duhet të rishikohen tarifat e sigurimit. Çmimet nuk kanë qenë të ndryshuara nga viti 2001. Rishikimi është dashur të bëhet në çdo vit. Ne e kemi obligim ligjor që të rishikohen tarifat. Qëllimi ynë është të mbrojmë polismbajtësin dhe të ruajmë stabilitetin e sigurimeve. Kemi pasur shumë ankesa në BQK për telashet në pagesa”, tha Mehmeti, transmeton Koha.net. 

“Nuk do të tolerojmë që të shkelen ligjet. Ne kemi marrë kërkesë që të rriten çmimet 36 %, por ne kemi refuzuar si të tillë”, tha ai.

Sipas tij në vitin 2001 nuk janë njohur policat e Kosovës në Shqipëri.

“Vetëm në vitin 2018 është pagur mbi 400 mijë euro në Shqipëri për demet që i kanë shkaktuar atje”, tha ai, duke shtuar se "këtë vit e kemi shmangur një shkelje ligjore”.

Ndërkaq, zv.guvernatori Sokol Havolli, po ashtu tha se ky vendim për rritjen e tarifave, u bë për mbrojtje të klientëve.

“Duhet të kapitalizohet industria e sigurimeve”, tha ai.

“Duhet të kemi sektor të shëndetshëm të sigurimeve, kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të gatshme të mbulojnë obligimet ndaj qytetarëve e të mos mbesin borxh”, shtoi ai.