16:17

Kurti: Me Mustafën u morëm vesh që tri ditë pas certifikimit të rezultatit ta bëjmë qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se zhvilluan një takim konstruktiv dhe theksoi se në të njëjtën kohë po zhvillohej edhe takimi i grupeve punuese të të dy partive që po e harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës.

Sipas tij, në këtë takim u diskutua për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morën vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të takohen në mënyrë që ta bëjnë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve.

“Jemi marrë vesh që të takohemi 1 orë pas certifikimit të rezultateve dhe të merremi vesh, me ç‘rast ftesa ime dhe përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa është tashmë e dhënë se një orë pas rezultateve të KQZ-së, ne do të takohemi për ta kryer brenda 72 orëve ose më pak se 100 orëve marrëveshjen tonë përfundimtare për koalicionin qeverisës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë takimet mes grupeve punuese për harmonizimin e programit qeverisës i cili i ka 26 faqe tekst.

Kreu i VV-së thotë se me këtë kanë dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë.

Kurti tha se u dakorduan për një tempo të re.

16:13

Mustafa pas takimit me Kurtin: Vlerësuam se ekipet punuese kanë arritur shumë suksese në harmonizim të programit

Dy liderët e partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Isa Mustafa i LDK-së dhe Albin Kurti i VV-së, kanë përfunduar takimin mes tyre.

Mustafa tha se në takimin e sotëm me Kurtin nuk janë diskutuar postet e as për ministritë konkrete, por është vlerësuar puna e ekipeve punuese mes dy partive deri më tani.

“Patëm një takim me zotin Kurti para certifikimit të rezultateve. Vlerësuam punën që është bërë mes ekipeve punuese për harmonizim të programit qeverisës, dhe erdhëm në përfundim se është arritur shumë në këtë aspekt. Në aspektin e numrit të ministrive është arritur pajtueshmëri, dhe u pajtuam që porsa të certifikohen rezultatet, të takohemi dhe të merremi vesh për qeverinë e përbashkët mes dy partive tona”, deklaroi Mustafa, raporton Koha.net.

“Për poste s’kemi biseduar sot, e as për ministri konkrete. Biseduam vetëm për atë që të merremi vesh për marrëveshjen për koalicionin tonë 4 vjeçar”.

Në lidhje me Listën Serbe si partner i mundshëm i koalicionit të ri qeverisës, Mustafa tha se do të bisedohet me ta, por “varet nga bisedimet se si do të jetë zgjidhja”.

“Edhe për Listën Serbe edhe për partnerët tjerë të koalicionit, i mbetet asaj partie që e ka kryeministrin të marrë iniciativë dhe t’i thërret tjerët për qeverisjen e re, edhe LDK-në. Prandaj, dinamika e ardhshme dhe agjenda varet nga partia e parë e këtyre zgjedhjeve. Për çështje të ndarjes së ministrive do t’ju njoftojmë pasi t’i bisedojmë ato”, theksoi kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit me kreun e VV-së, Albin Kurti.

15:36

​Nis takimi Kurti-Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka arritur në vendin ku pritet të fillojë takimi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti nuk është parë duke hyrë, por siç raporton kosovapress, ai është brenda një hoteli në kryeqytet. 

Takimi mes tyre ka filluar pak pas orës 15:00.

Lexo edhe: Rinumërimi drejt fundit, Kurti-Mustafa u rikthehen takimeve

Kandidati për kryeministër paralajmëroi se me LDK-në duhet të përshpejtojnë drejt formimit të qeverisë sepse brenda disa ditësh pritet edhe certifikimi i rezultateve.

Kurti edhe një herë është shprehur i vendosur për të mos përfshirë në koalicion Listën Serbe.