Në Prishtinë ndizen qirinj për viktimat e tërmetit në Shqipëri
Në sheshin Skënderbeu në Prishtinë para pak çastesh ka nisur ndezja e qirinjve për viktimat e tërmetit në Shqipëri, transmeton KTV.
Gjatë ditës së sotme janë ndezur qirinj edhe në Gjilan e Malishevë.
Edhe në Komunën e Ferizajt, qytetarët kanë ndezur qirinj. Para ndërtesës së Komunës së Ferizajt, në solidarizim e bashkëndarje të dhembjes me viktimat e tërmetit vdekjeprurës në Shqipëri, u mblodhën dhjetëra qytetarë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit, shoqëri civile e grupe të ndryshme bamirësie.
Ata u shprehën të pikëlluar me tragjedinë që shkaktoi ky tërmet për bashkatdhetarët tanë, por edhe njëkohshëm krenarë për aktivizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve anekënd Kosovës e veçanërisht në Ferizaj për t'i dalë në ndihmë banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.
Tërmeti që ka goditur dje Shqipërinë ka shkaktuar 30 viktima, derisa mbi 600 të tjerë janë lënduar.
Kurse shumë familje nga zona e Durrësit vazhdojnë të qëndrojnë në kushte të vështira, dhe kryesisht janë vendosur nëpër tenda.