7 perditesime
13:58

Tërmet me magnitudë 3.0 godet prapë Shqipërinë

Një tërmet prej 3.0 shkallë të Rihterit është regjistruar para vetëm pak minutash në Shqipëri.

Epiqendra e këtij tërmeti është regjistruar në detin Adriatik.

Kujtojmë se mbi 800 pasgoditje janë regjistruar në Shqipëri pas 26 nëntorit, kur Shqipërinë e goditi tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4.

Deri tash zyrtarisht janë raportuar 49 viktima e shumë tjerë të lënduar.

13:12

I vetmi i mbijetuar i familjes Cara niset drejt Italisë për mjekim

Albert Cara, personi I vetëm nga familja Cara, që u gjet i gjallë në rrënojat e banesës së tij në Thumanë është nisur drejt Italisë për mjekim të specializuar.

Ai u nis nga Rinasi këtë të premte, raporton vizionplus.

Në aeroport ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Alberti humbi në tërmetin e 26 nëntorit, bashkëshorten e tij, dy djemtë, të fejuarën e djalit, nusen e xhaxhait dhe mbesën.

11:25

Meta: Do të bëhet çmos për t’i akomoduar sa më shpejt banorët e prekur nga tërmeti

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se do të bëhet çdo gjë për të akomoduar sa më shpejt dhe përshtatshëm, të gjithë ata banorë të goditur nga tërmeti.

Ai thotë se do të gjejnë pastaj një zgjidhje afatgjatë për integrimin e plotë të tyre në jetën normale.

Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress, presidenti i Shqipërisë shpreson se operacionet e kërkimit të banorëve nën rrënoja do të përfundojnë sot.

“Do të bëhet çdo gjë për të arritur një akomodim sa më të shpejtë të përshtatshëm afatshkurtër dhe me pas për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për integrimin e tyre të plotë në jetën e normale ashtu si më parë”, thotë ai.

Presidenti i Shqipërisë thotë se do të arrijnë ta përballojnë këtë sprovë që ua dha natyra, pavarësisht nga kosto.

Meta shpreson që sot gjatë ditë të ketë një bilanc përfundimtar zyrtar, dhe të përfundojnë operacionet e kërkimit.

“Do të vazhdojmë të përballojmë ketë sprovë që na dha natyra, kjo fatkeqësi natyrore dhe besoj se të bashkuar por edhe duke pasur pranë tërë ata miq dhe partnerë që nuk kanë munguar që në momentet e para, padyshim Kosova ka shkëlqyer me gatishmërinë e saj, do të ia dalim pavarësisht nga kostot të cilat janë të mëdha.....Shpresojmë sot të përfundojnë totalisht operacionet për kërkime të banorëve shqiptarë që mund të kenë mbetur ende nën rrënoja shpresojmë që është çështje orësh që të kemi një bilanc përfundimtar zyrtar ndërkohë që përveç nderimit të viktimave shumë sfida të tjera na presin përpara, të cilat janë të mëdha dhe do të pak afatgjate” thotë Meta.

Pas homazheve që Meta ka bërë sot në "Varrezat e Dëshmorëve" me rastin e Ditës së Çlirimit, ka thënë se fatkeqësia e jashtëzakonshme me të cilën u përball Shqipëria tre ditë më parë, ua bën të pamundur të festojnë këtë ditë me madhështi, veçse i nderojnë ata që dhanë jetën për çlirimin e vendit në luftën anti-fashiste.

Që prej mëngjesit të hershëm të së martës Shqipëria është goditur nga disa tërmete, ku njëri nga ta shkatërroi disa lokacione në Durrës dhe Thumanë, duke u marrë jetën dhjetëra personave e qindra të tjerë duke i lënë të lënduar. Njësitë e emergjencave dhe kërkim shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në ndërtesat e rrënuara duke kërkuar për personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ndërkohë Shqipëria ka shpallur situatë të jashtëzakonshme në vendet ku ka pasur tërmet

11:06

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon vetëm në rrënojat e hotel ‘Mira Mare’

Operacionet e kërkim-shpëtimit nuk janë mbyllur ende në Durrës, pasi po bëhen ende verifikime në rrënojat e hotel “Mira Mare”.

Lajmin e konfirmon Ministria e Mbrojtjes sipas së cilës operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar vetëm në Thumanë.

Sipas të dhënave, grupet e huaja të kërkim-shpëtimit janë duke punuar në rrënojat e “Mira Mares” ku mendohet se mund të nxirret edhe një tjetër trup i pajetë.

Gjatë këtyre ditëve, vendet ku janë zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit janë:

-Thumanë ku është mbyllur kërkimi

-Hotel “Mira Mare” ku punojnë ende grupet nga Serbia, Mali i Zi.

-Zona e ish-Kënetës ku është mbyllur kërkimi.

-Pallati pranë Kryqit të Kuq ku po ashtu është mbyllur kërkimi.

-Rruga Shoqëria Bashkimi (2 Gjelat) ku është mbyllur kërkimi/ATSH.

10:51

Xhaçka: Mos hyni në vendbanime të dëmtuara, askush nuk do të mbetet pa shtëpi

Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka i bëri thirrje të gjitha banorëve që i kanë banesat e dëmtuara të mos qëndrojnë brenda deri në momentin që do të bëhet vlerësimi.

Në një konferencë për media, ajo tha se vlerësimet po bëhen nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj. Ajo garantoi se askush nuk do të mbetet pa shtëpi, transmeton oranews.

Xhaçka tha se është ngritur kuzhina fushore në Thumanë dhe po montohet një tjetër në Bubq për përgatitjen e 10 mijë racioneve gjatë 7 ditëve.

09:49

Sot i jepet lamtumira e fundit 6 familjarëve që vdiqën nga tërmeti në Thumanë

​Sot do t’i jepet lamtumira e fundit gjashtë anëtarëve të familjes Cara të cilët humbën jetën nga tërmeti i së martës në Thumanë.

Ceremonia mortore do të mbahet në ora 13:00 në Thumanë.

Nga familja Cara humbën jetën Almiri 26 vjeçar, Erisa 25 vjeçare, Hasani 18 vjeçar, Fatmira 53 vjeçare, Sadajana 21 vjeçare dhe Anthi 72 vjeç.

08:06

Rama bën bilancin fillestar të dëmeve - Deri tash janë mbledhur 5 milionë euro e mbi 1 milion dollarë

Kur operacionet për kërkim shpëtimit po shkojnë drejt fundit, qeveria ka nisur përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmetet e fundit.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë së Shqipërisë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar gjithashtu se çadrat e ngritura në Thumanë dhe në Laç do të hiqen dhe banorët do të akomodohen në hotele.

Ndërsa për banorët e Bubqit tha Rama ata nuk do të largohen, por do të ngrihen çadra të një tjetër kategorie, pasi banorët në këtë zonë janë të lidhur me blegtorinë dhe nuk mund të braktisin zonat.

Rama theksoi se zyrtarisht numri i të vdekurve ka shkuar në 49.

“Në qarkun e Durrësit janë 1260 persona të akomoduar, nga të cilët deri tani janë 625 në hotele dhe 360 në palestrat e shkollave. Të tjerët janë në çadra apo tek të afërmit. Në Thumanë janë rreth 500 persona të akomoduar në çadra, për ta ka filluar transporti nga kampet për në hotele në Shengjeni”, tha ai, përcjellin mediat në Shqipëri.

Sipas tij, në Qarkun e Tiranës 3480 persona janë pa strehë, ndërsa në Berat 250 persona.

Në Durrës janë evidentuar 701 banesa të dëmtuara, 12 te shkatërruara, 176 pallate të dëmtuara.

Në Tiranë banesa 15 të shkatërruara, 239 të dëmtuara, 8 pallate janë jashtë përdorimit.

Rama tha se ky është bilanc fillestar, ndërsa theksoi se sot vijnë ekipet e para te inspektorëve teknikë për të bërë një analizë të dëmeve së bashku me ekspertët shqiptarë.

Sa i përket kontributeve Rama tha se shuma e grumbulluar është goxha inkurajues, por për shkak se bankat janë të mbyllura nuk mund të thuhet sa është bilanci i plotë.

Sipas tij, deri tani shkon një shumë 5 milionë euro dhe 1,5 milion dollarë.

07:56

Shpallet gjendje e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, i cili rezulton të jetë mjaft i dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se mirëkupton opinionin e kreut të opozitës dhe se ndan të njëjtin shqetësim me të se Laçi përfshihet në këtë perimetër, ndaj dhe sot ka vendosur ta përfshijë në program.

“Mirëkuptoj opinionin e kryetarit të opozitës, se Laçi përfshihet në këtë perimetër, them se na përputhen shqetësimet dhe idetë. Ne sot duhet të përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program. Ka filluar puna për pastrimin e hotspoteve në Durrës dhe Thumanë. Është bërë shembja e godinave të rrezikshme në Thumanë, ku ishim mbrëmë deri vonë. Po ashtu edhe në Durrës ka nisur puna për pastrimin e gërmadhave, ku nuk ka më operacion kërkim-shpëtimi”, tha kreu i qeverisë.