16:15

LV e LDK s’merren vesh për Qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshjen për formimin e Qeverisë, siç pretendonin ta bënin këtë të hënë.

E kanë lënë për një ditë tjetër që t’i vazhdojnë negociatat. Takimi mes Albin Kurtit e Isa Mustafës ka përfunduar pa epilog.

Albin Kurti i Vetëvendosjes megjithatë ka thënë se në negociata kanë pasur avancim.

“Por marrëveshje s’kemi. Sepse ka gjëra që nuk jemi marr vesh”, ka thënë Kurti në përfundim të takimit të sotëm.

E Mustafa, ka thënë se me Kurtin kanë pasur bisedë përmbajtjesore.

“Kemi pas pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës. Sot nuk ka marrëveshje për koalicion por ka marrëveshje që të vazhdojmë të punojmë. Dallimet tona do ju tregojmë kur t’i përafrojmë”, ka thënë Mustafa.

15:50

Pas pauzës, rikthehen në takim Kurti-Mustafa

Pas pauzës rreth 30 minutëshe janë rikthyer në takim lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa.

Takimi mes dy liderëve ka filluar rreth orës dy, ndërkaq pritet që sot të arrihet marrëveshja mes dy partive.

15:04

Shkojnë në pauzë Kurti e Mustafa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti  ka njoftuar se do të shkojnë në pauzë 30 minutëshe.

Këtë e ka bërë të ditur pasi ka dalë nga takimi të cilin po e mbante me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.

Të dy liderët kanë filluar takimin para gjysmë ore.

Kurti para fillimit të takimi ka thënë se shpreson që sot me LDK-në do të merren vesh pë ndarjen e përgjegjësive të ekzekutivit.

14:14

Nis takimi VV-LDK

Ka filluar takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Takimi po mbahet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës mes dy liderëve të partive, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Gjatë këtij takimi pritet të nënshkruhet marrëveshja mes dy partive për bashkëqeverisje, transmeton KTV.

Kujtojmë se që pas përfundimit të zgjedhjeve, ku fituese doli VV-ja, dy partitë në vazhdimësi janë takuar për të harmonizuar programin bashkëqeverisës.

14:06

Kurti: Pres që me LDK-në sot të merremi vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur para fillimit të takimit me LDK ku pritet të nënshkruhet marrëveshja për bashkëqeverisje.

Ai para mediave ka thënë se pret që sot të merren vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutive, transmeton Koha.net.

“Sot do t’i vazhdojmë bisedimet për formimin e qeverisë në të cilën unë si kryeministër do t’i kem 12 ministri në kabinetin qeveritar. Këto bisedime do t’i bëjë me Mustafën. Ne e kemi harmonizuar programin dhe besoj që sot do të merremi vesh për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv. Këto bisedime do të fillojnë sot. Tash na pret procesi i bisedimeve. Kemi zotimin tonë që sa më mirë të përfundojë gjithçka. Marrëveshja është marrëveshje mes dy palëve dhe unë s’mund të flas për të dyja palët”, ka thënë ai.

08:47

Kurti e Mustafa takohen sot, pritet nënshkrimi i marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të takohen sot për të nënshkruar marrëveshjen për koalicionin qeverisës.

Sipas burimeve të Koha.net takimi pritet të zhvillohet në orën 14:00 në Kuvendin e Kosovës.

Kujtojmë se në takimin që u mbajt të shtunën në mes të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, u tha se është përmbyllur 100 për qind harmonizimi i programit qeverisës, duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura, e po ashtu edhe sa i përket kabinetit qeverisës, sipas të cilëve do të ketë 12 ministri.

Krahas kësaj, është raportuar se pesë ministri do i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, pesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, një minoritetit serb dhe një për minoritet tjera.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas gati dy muaj bisedime që nga përfundimi i zgjedhjeve, kanë harmonizuar 100 për qind për programin qeverisës.

Subjekti i Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak 28. Ndërsa, iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar qeverinë e re.