BE-ja reagon ndaj mohimit apo relativizimit të krimeve në Reçak Foto: Driton Paçarada / KD

BE-ja reagon ndaj mohimit apo relativizimit të krimeve në Reçak

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 07 December 2019 06:19

Bashkimi Evropian ka përsëritur qëndrimin se nuk ka vend për t’i mohuar apo për t’i relativizuar ngjarjet në Reçak të vitit 1999, dhe se mohimi dhe revizionizmi shkojnë kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe kundër projektit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë qëndrim të BE-së, nëpërmjet një emaili, e ka shpërndarë Ana Pisonero, zëdhënësja e re e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit. Por nga përmbajtja shihet se ky është qëndrim i përgatitur mirë nga shërbimet e Komisionit Evropian, sepse i njëjti qëndrim është dhënë edhe në muajin prill të këtij viti.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për t’i komentuar deklaratat fyese që ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur trillim masakrën e Reçakut, zëdhënësja e BE-së për Zgjerim ka shkruar:

“U takon gjykatave të gjykojnë nëse deklaratat e caktuara paraqesin vepra penale. Dënimet duhet të jenë proporcionale dhe të marrin parasysh të gjitha elementet e rastit. Autoritetet duhet të punojnë në mënyrë të sinqertë në vlerësimin e së kaluarës në shenjë respekti për viktimat. Një gjë është e qartë, nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak në Kosovë, në janar të vitit 1999. Mohimi apo revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të raporteve”, thuhet në përgjigjen që kjo zëdhënëse u ka dërguar mediave.

Kur në pranverë nga BE-ja ishte dhënë e njëjta përgjigje, “Koha Ditore” kishte pyetur zyrtarët e BE-së pse po përdorin fjalën “ngjarje” e jo “krime” për Reçak.

Në një komunikim joformal disa zyrtarë të BE-së ishin arsyetuar se “përdorimi i termit krime apo masakër duhet të jetë i bazuar në vendime të gjykatave”.

“Koha Ditore” ua kishte dërguar një pjesë të gjykimit të Tribunalit të Hagës në të cilën thuhej se “jo më pak se 45 shqiptarë të Kosovës ishin vrarë në Reçak më 15 janar të vitit 1999, përfshirë gra dhe fëmijë. Së paku një viktime i ishte prerë koka. Shumica e të vrarëve ishin mbi moshën 50 vjeçe. Shumica ishin vrarë duke u shtënë në kokë nga si duket distance e afërt. Të vrarët kishin veshje civile kur ishin vrarë”.

Ka një kohë që Serbia nuk bashkëpunon me mekanizmat ndërkombëtarë që kanë zëvendësuar dhe marrë përsipër detyrimet e Tribunalit të Hagës. Këtë e konstatojnë në komunikime interne edhe shërbimet e BE-së, të cilat në disa raste po ashtu kanë tërhequr vërejtjen se në Serbi mohohen vendimet e gjykatave të Hagës, glorifikohen kriminelët e dënuar të luftës, atyre u botohen libra nga ministritë e shtetit dhe u mundësohet ligjërimi në akademi.

Por megjithëkëtë, BE-ja asnjëherë nuk ka ndërmarrë asnjë hap kundër Serbisë e as që i ka bërë këto kritika direkte publike. Edhe kur reagojnë e bëjnë këtë në mënyrë të përgjithësuar, kinse për tërë rajonin.

që nga kryeministrja e deri tek ministrat, vazhdon ta mohojë edhe gjenocidin në Srebrenicë. Ndonëse e quajnë “ngjarje të tmerrshme”, asnjëherë nuk e pranojnë se ai ka qenë gjenocid. Ndërsa, sipas vetë vendimeve të BE-së, mohimi i krimeve të gjenocidit duhet të bëhet vepër e dënueshme me ligj. Se në Srebrenicë ka pasur gjenocid e ka konstatuar në disa raste Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, por edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por megjithëkëtë, Serbia vazhdon të mohojë se në Srebrenicë ka pasur vepër të gjenocidit.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme