Saranda Ramaj, fituese e çmimit “Vangjush Gambeta”

Saranda Ramaj, fituese e çmimit “Vangjush Gambeta”

07 December 2019 08:51

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ia ka ndarë çmimin e gazetares së vitit për mediat e shkruara, gazetares së “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj. UGSH-ja, të premten, në Prishtinë ka ndarë çmimet "Vangjush Gambeta 2019”, për raportimin më të mirë në sektorin e ekonomisë nga gazetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë.

Për raportimin më të mirë të vitit 2019 në lëmin e ekonomisë është nderuar gazetari Vali Qyrfyçi, ndërsa çmimi “Gazetari i Vitit” iu nda gazetarit Taulant Koplikaj.

Çmimi “ Vangjush Gambeta” për gazetarinë audiovizuale në Shqipëri iu nda Donald Jorgonit.

Ndërsa për mediat e shkruara në Kosovë, gazetare e vitit është shpallur Saranda Ramaj e “Kohës Ditore”, për mediat në Shqipëri, Ledina Loga dhe për ato në Maqedoninë e Veriut, Vedat Memedaliu.

Me çmimin “Karriera”, UGSH-ja ka nderuar redaktoren shumëvjeçare të Radio DW, Adelheid Feilce, dhe gazetaren e Zërit të Amerikës, Laura Konda, shkruan “kp”.

Me rastin e ndarjes së çmimeve vjetore, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksander Çipa, ka thënë se përmes kësaj ngjarjeje bashkojnë përfaqësuesit e institucioneve dhe gazetarëve të ekonomisë.

“Do të doja të ndaja me ju arsyetim që prej 11 vjetësh ne kemi mundur si organizatë të ngremë një hierarki të vlerësimit brenda komunitetit profesional të gazetarëve dhe nuk kemi respektuar vetëm adresimin tek njësia republikë që i përkasim Shqipërisë. Por kemi mundur të shohim tregun dhe skenën mediatike shqiptare në tri shtetet ku jetojnë shqiptarët, si një mundësi të integrimit tonë të brendshëm, si një mundësi për të parë referenca profesionale të ndryshme dhe për të përcaktuar stacionet e ballafaqimit konkurrues me njëri-tjetrin, pavarësisht nga ndasitë dhe pavarësisht nga ajo që do ta quaja kohë-humbja e politikës”, ka deklaruar Çipa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme