Nëse deri në mars nuk miratohet buxheti, shteti s’mund të bëjë asnjë pagesë – përfshirë pagat

Nëse deri në mars nuk miratohet buxheti, shteti s’mund të bëjë asnjë pagesë – përfshirë pagat

07 December 2019 09:04

Qeveria e Kosovës gjatë muajit mars e ka afatin e fundit të dërgojë projektbuxhetin për vitin 2020 në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Në të kundërtën në muajin prill nuk do të mund të bëhet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat, mëditjet dhe mallrat e shërbimet.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, thotë për Ekonomia Online se pavarësisht a miratohet këtë vit buxheti apo jo, gjatë muajit janar dhe shkurt nuk do të ketë probleme financiare, pasi që Ligji për Menaxhimin e Financave Publike ua mundëson shfrytëzimin e buxhetit paraprak, pra atë të vitit 2019.

“Ligji për Menaxhimin e Financave Publike nuk ka paraparë ndonjë afat ligjor se kur qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta aprovojë buxhetin. Ky Ligji e parasheh që deri më 31 tetor duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo në situatën të cilën gjendemi tani pas zgjedhjeve ne nuk kemi pasur as de-juro as de-fakto një Kuvend të Republikës së Kosovës ku kemi mundur ta dërgojmë buxhetin për vitin 2020. Mirëpo edhe në rast se nuk aprovohet sipas këtyre afateve prapë Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e parasheh mundësinë që gjatë dy muajve të parë të vitit implementohet me përqindje të caktuar buxheti i vitit paraprak”, thotë ai.

Por nëse deri në muajin mars nuk do të institucione të reja, sipas Rafunës në muajin prill nuk do të ketë asnjë pagesë të brendshme. E kjo do të paraqiste problem të madh.

“Definitivisht është muaj mars kur duhet qeveria e ardhshme që ta dërgojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të aprovuar në rast se nuk duam të kemi ngecje në implementimin e projekteve qoftë ekzistuese, qoftë projekteve të reja. Kështu që deri në muajin shkurt nuk është ndonjë sfidë shumë e madhe, por jo ngecje që do të lë gjurmë”.

“Pra për muajin janar dhe shkurt nuk do të ketë asnjë problem, sfida do të na shfaqet në muajin mars, në rast se nuk do ta kemi kuvendin për arsye se në muaj mars mund ta vazhdojë implementimin e buxhetit paraprak vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës. Mirëpo në qoftë se deri atëherë nuk kemi qeveri muajin prill jo që do të kemi problem, por do të ndalen të gjitha pagesat e brendshme me përjashtim të pagesave të jashtme, të borxhit të huaj që e kemi obligim ta paguajmë. Ndërsa të gjitha pagesat e brendshme nuk do të kemi mundësi t’i kryejmë”, thotë ai për EO.

Vonimi i formimit të institucioneve shtetërore do të ndikojë edhe në shtyrjen e realizimit të projekteve kapitale.

“Edhe sikur të ish aprovuar buxheti i ri janë procedurat e prokurimit publik që pamundësojnë implementimin e projekteve të reja për shkak procedurave. Mirëpo e vetmja pengesë që do të shfaqet për organizatat buxhetore do të jetë shtyrja për 2 muaj e implementimit të procedurave të prokurimit për projektet e reja. Ndërsa sa i përket shpenzimeve rrjedhëse, siç janë pagat, mëditjet dhe të mallrave dhe shërbimeve, nuk do të jetë asnjë problem gjatë muajit janar, shkurt dhe eventualisht mars”, thotë Rafuna.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme