18:13

Përfundon takimi Kurti – Mustafa, s’ka marrëveshje

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, pas takimit mes Kurtit e Mustafës, ka thënë se dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Vetëm këto informata i kam nga dy liderët që kanë dalë nga ky takim”, tha Mustafa,

“Besoj që shumë shpejt do të ndodh takimi i radhës, dhe jemi pajtuar që të intensifikojmë takimet pothuajse çdo ditë”.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t'i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e VV-së.

17:48

Ka nisur takimi Kurti – Mustafa

Në këto momente është duke u zhvilluar takimi mes liderëve të VV dhe LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa.

Pas takimit nuk pritet të ketë ndonjë deklarim për media nga asnjëri nga liderët, mirëpo pritet të lëshohet një komunikatë për media për të treguar se për çfarë është biseduar dhe nëse është arritur ndonjë avancim rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje mes dy partive.

17:15

Kurti e Mustafa arrijnë në Kuvend

Albin Kurti kryetar i Vetëvendosjes, dhe Isa Mustafa kryetar i LDK-së kanë arritur në Kuvendin e Kosovës për të mbajtur takimin e radhës në kuadër të bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës, raporton KTV.

14:55

Kurti konfirmon se sot takohet me Mustafën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka konfirmuar se sot do të takohet me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë ku i kanë lënë bisedimet në gjysmë dhe është shprehur i bindur për arritjen e një marrëveshje me LDK-në, raporton KTV.

I pyetur për pozitën e presidentit, Kurti ka thënë se “nuk ka pengesë që nuk do ta kalojmë”.

13:44

Sot pritet takimi mes Kurtit e Mustafës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, pritet të takohen sot.

Burime të Grupit KOHA bëjnë me dije se takimi do të ndodhë sot në orët e pasdites, porse zyrtarisht nga asnjëra parti nuk e kanë konfirmuar.

Albin Kurti sot gjatë gjithë ditës është duke zhvilluar takime me drejtues të Sindikatave të Shëndetësisë, të Policisë dhe të Arsimit.

Ndërkohë, kujtojmë se nga Vetëvendosja janë shprehur optimist se do të arrihet një marrëveshje koalicioni me LDK-në, por pa u përfshirë këtu çështja e presidentit.