Arbëri

Kurti e Konjufca ftohen për intervistim pas kallëzimit penal ndaj Thaçit e Veselit lidhur me “Syrin e Popullit”

Foto: Koha/Arkivë
 

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Prokuroria Themelore ka nisur hetimet lidhur me kallëzimin penal që e kishin bërë Albin Kurti e Glauk Konjufca kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, lidhur me “Syrin e Popullit”. Për këtë të dy, Kurti e Konjufca janë ftuar për intervistim.

VV-ja thotë se më 25 prill të këtij viti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes, dhe Glauk Konjufca, asokohe drejtues i Grupit Parlamentar, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bënë kallëzim penal kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për lajmërim apo kallëzim të rremë (sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4), dhe deklaratë të rreme nën betim (sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074.)