3 perditesime
20:58

Kamberi: Shtetet e Ballkanit para Mini-Schengenit duhet të flasin për paqen

Image

Sipas Belgzim Kamberit nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, shtetet e Ballkanit para se të flasin për liberalizim të tregut apo Mini-Schengen, duhet të flasin për paqen e vërtetë.

Ai ka thënë se mosgatishmëria e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të diskutojë për të drejtat e njeriut, por që është i gatshëm të flasë për kufijtë, ka shkaktuar tensionet në rajon lidhur me këtë iniciativë.

“Qe një vit dalin lloj-lloj konceptesh, fillimisht flasin për korrigjim kufijsh, nga një projekt për ndarje etnike, përfundon me një projekt të heqjes së kufijve. Kanë ndërtuar njëfarë mjegulle ku popujt e Ballkanit nuk e dinë se ku po shkojnë”, ka thënë Kamberi. “Nuk mundesh ti ta bllokosh dialogun Kosovë-Serbi dhe në anën tjetër të provosh me bë nisma e marrëveshje rajonale. Ai ka problem edhe me Bosnjën, jo veç me Kosovën. Këto shtete para se të diskutojnë për liberalizim të tregut, duhet të bisedojnë për paqen e vërtetë, si e njohin njëri-tjetrit në raport të reciprocitetit. Pra, i njëjti njeri i cili është i gatshëm t’i hapë kufijtë, nuk është i gatshëm të diskutojë për të drejtat e njeriut. Pikërisht kjo po shkakton tension”.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane ka thënë se mënyra se si po “e luan Kosova këtë lojë duke refuzuar pjesëmarrjen, po bën që Serbia të mund të dalë para faktorit ndërkombëtar dhe të thotë se ‘unë u përpjekja për të çuar përpara nismën rajonale, unë me zor nuk mundem t’i bëj ata ta pranojnë’”.

20:48

Çelaj: Po të merrte pjesë Kosova si e barabartë me të tjerët, Serbia s’do ta pranonte Mini-Schengenin

Image

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj, ka thënë se nëse Kosova s’do të refuzonte pjesëmarrjen në Samitin e Mini-Schengenit Ballkanik dhe do të ulej në tryezë si shtet i barabartë me të tjerët, Serbia do të lëshonte takimin dhe gishtat do të drejtoheshin tek ajo e jo te Kosova.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se ka pasur keqmenaxhim të kësaj iniciative nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e vazhdoi idenë pavarësisht refuzimit të Kosovës. Sipas tij, edhe qëndrimet e disa liderëve kosovarë kanë qenë të gabuara.

“Mendoj se Rama gaboi në mënyrën si e menaxhoi këtë nismë dhe mendoj se edhe disa prej liderëve politikë në Kosovë gabuan se si reaguan. Këto raporte derivuan në konflikt me dëm që mund të jetë i përmasave kombëtare, bazuar në raportet personale të disa liderëve. Qëndrimi pro ose kundër bazohet në këtë rivalitetin e krerëve politikë këndej e andej kufirit. Ka pak inat, kokëfortësi e këto kanë sjellë një ngërç e po reagojmë me eufori”, ka thënë ai.

Sipas tij, kryeministri Rama është dashur të fliste me shqiptarët e Kosovës dhe të mos nxitonte me iniciativën.

“Edi Rama është dashur të ketë dialog me faktorin shqiptar në Kosovë. Të mos nxitonte, por mendoj se edhe Kosova duhet të merrte pjesë. Jam i bindur se në tryezë do të ishte problem të zbatohej. Jam skeptik se do të realizohet, por nëse je në tryezë dhe e vë parimin e barazisë, jam i bindur se Serbia s’do ta pranonte. Tash ne po ia heqim këtë adut. Duke mos marrë pjesë ne po ia heqim adutin Serbisë dhe po i marrim shigjetat ndaj vetes. Nga taksa e tutje askush s’i hedh shigjetat kah Serbia, por vetëm kah Kosova. Në Gjermani kanë thënë se vetëm po të bënit vërejtjen publike se nëse nuk zbatohet kjo do të kemi taksë, dy herë po ta respektonit këtë vendim, asnjë nga shtetet s’do t’u dilte kundër taksës. Edhe këtë po e shoh këtu. Të gjitha argumentet do të duheshin të diskutohen në atë tryezë. Ndoshta Vuçiqi aty thotë se do ta pranojë Kosovën. Nëse presim që Vuçiqi të zgjohet në një mëngjes e të thotë se e pranojmë Kosovën mendoj se gabohemi. Me bllokadën aktuale po dëmtohet vetëm Kosova e jo Serbia”, ka deklaruar ai.

Sipas Çelajt, Kosova me refuzimin për pjesëmarrje ia ka dhenë rastin liderëve të Serbisë të duken si “djem të mirë”.

“Jam i bindur se po të merrte Kosova status të barabartë aty, serbët do e lëshonin tryezën e gishti në këtë rast do të drejtohej kah ta. Ne e humbëm këtë rast. S’duhet detyrimisht të pranojmë iniciativën. Mund të ulemi të japim kontributet, vërejtjet, të shohim a do të ketë benefit Kosova prej kësaj iniciative. Ky projekt do të dështojë si shumica e nismave rajonale dhe kjo jo pse Serbia do ta dominojë apo jo, por sepse Ballkani ka probleme të ndryshme të cilat nuk mund të tejkalohen”, ka deklaruar tutje ai.

20:22

Selimi: Përfshirja e Kosovës në Mini-Schengen do të ishte vetëvrasje

Image

Selim Selimi nga kabineti i kryeministrit në detyrë të Kosovës ka thënë se përfshirja e Kosovës në iniciativën për Mini-Schengenin ballkanik do të ishte vetëvrasje për vendin.

Sipas tij, një iniciativë e tillë rajonale do t’i hapte rrugë ndikimit politik rus në Ballkan.

“Për më shumë, kjo nismë rajonale shihet edhe nga përfaqësimi i një roli aktiv të Rusisë në këtë pjesë të Evropës. Përmes Serbisë, Rusia e krijon një treg të pakontrolluar dhe ku përveç qasjes ekonomike, e ka edhe ndikimin politik. Përfshirja e Kosovës aty do të ishte një vetëvrasje”, ka thënë shefi i stafit në kabinetin e Ramush Haradinajt.

Ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë gabim të pafalshëm politik me vazhdimin e kësaj iniciative, pavarësisht refuzimit të Kosovës.

“Nuk i di arsyet e sakta por mendoj se është një gabim i pafalshëm politik [i kryeministrit Rama], dhe kjo tregon se nuk i ka marrë parasysh disa nene të Kushtetutës së vet, meqë Kushtetuta thotë se duhet të ketë kujdes për historinë e shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka thënë Selimi.

20:16

Xhambazi: Qasja e Kosovës që të mos ulet fare në takimin për Mini-Schengen është gabim

Image

Visar Xhambazi nga instituti Demokracia për Zhvillim ka thënë se refuzimi i Kosovës që të marrë pjesë në takimet për Mini-Schengenin ballkanik është vendim i gabuar.

Sipas tij, Kosova është dashur të marrë pjesë në Samit dhe pas takimit të dilte me deklaratë se a është në të mirë të Kosovës apo jo kjo iniciativë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Duhet t’i shikojmë rrethanat politike se si erdhëm deri këtu. Vetoja franceze ndaj Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë e la Ballkanik perëndimor pa shpresë. Ideja e Mini-Schengenit fillimisht u iniciua nga kancelaria gjermane Angela Merkel dhe u vazhdua në Samitin e Triestes dhe muajve të fundit u zhvillua si temë. Buja e madhe s’është risi e madhe sepse veç është diskutuar më herët. Pozicioni i Kosovës që të mos marrë pjesë është gabim sepse u pa përfaqësuesi nga Mali i Zi në Ohër dhe pas takimit ajo shfaqi rezervat e saj, apo qëndrimin e kundërt me partnerët tjerë. Po mendoj që qasja e Kosovës që të mos ulet fare është gabim. Do të duhej të ishte të paktën pjesë e takimeve të diskutonte e të dilte me deklaratë nëse kjo do t’i bënte mirë interesit të Kosovës apo jo”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.