3 perditesime
18:06

Përfundon takimi i sotëm Kurti – Mustafa, paralajmërohet takim tjetër për nesër

Takimi mes kryetarëve të LVV-së dhe LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, me bashkëpunëtorë, ka përfunduar në këto momente.

Ndonëse Mustafa nuk ka pranuar të deklarohet për detajet e takimit, ka thënë shkurt: “S’jemi kanë idhnushëm me Albin Kurtin, kemi me u taku nesër”.

Ndërkaq, edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se takimi do të vazhdojë nesër ndonëse nuk ka shpalosur detaje nga takimi i së martës.

15:21

Kurti në takim me Mustafën

Burime të portalit Koha.net kanë bërë të ditur se Albin Kurti me të përfunduar mbledhja e Kryesisë së VV-së është nisur për një takim me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Kurti e Mustafa janë duke zhvilluar takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Sipas burimeve, kësaj here LDK-ja do të dalë më kërkesë ndaj VV-së. Ky subjekt do të tentojë ta rikthejë në tavolinë të negociatave postin e kryekuvendarit, duke qëndruar edhe më tej në kërkesën për postin e presidentit.

Kujtojmë se Kurti dje ka bërë të ditur emrin e zv.kryeministrit të dytë dhe 5 ministrave.

Ky subjekt ka heqë dorë nga Ministria e Brendshme, por e ka marrë për vete Ministrinë e Jashtme.

15:04

Kurti: Do të takohem me Mustafën sa më shpejtë që mundem

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se me LDK-në janë në komunikim të vazhdueshëm.

Ai nuk ka bërë të ditur saktë se kur do të jetë takimi i radhës, raporton Koha.net.

“Do të takohemi sa më shpejtë që të mundemi”, ka thënë Kurti. Ai ka paralajmëruar për të mërkurën në mëngjes një takim tjetër të kryesisë së VV-së.

13:14

Mblidhet Kryesia e Vetëvendosjes

Në Lëvizjen Vetëvendosje pritet të fillojë pas pak mbledhja e Kryesisë.

Në selinë e VV-së kanë arritur kryeparlamentari Glauk Konjufca, deputeti Rexhep Selimi, Arbërie Nagavcj e Fitore Pacolli, raporton KTV.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet propozimi për kryeministër që duhet t’i dërgohet presidentit.

Kujtojmë se dje pas takimi Kurti-Thaçi, ky i fundit u ka vënë afat konsultave të tyre. Në njoftimin e lëshuar për medie, Thaçi ka bërë të ditur se liderit të VV-së i ka dhënë afat 48 orë për nominimin e kryeministrit.

“Kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Por sipas njohësve të Kushtetutës, Thaçit nuk ia lejon akti më i lartë juridik të vendosë afate ligjore për fituesin e zgjedhjeve.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë për Kohën Ditore se presidenti i Republikës nuk mund të caktojë afate, sepse procesi i formimit të institucioneve është një proces politik që bazohet në Kushtetutë.