18:51

Vetëvendosje thotë se ka përafrim me LDK-në

Nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se në takimin e sotëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pati përafrim.

“Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Ndryshe, ky është takimi i dytë brenda dy ditësh ndërmjet këtyre dy subjekteve, porse ende pa një marrëveshje.

Burimet të portalit Koha.net kanë bërë të ditur se LDK-ja ka rritur ambicien, duke kërkuar 6-7 ministri si dhe postin e presidentit.

18:10

Takimi Kurti-Mustafa me lëvizje, por pa marrëveshje

Takimi i dytë brenda dy ditësh ndërmjet kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa ka përfunduar pa rezultat. Një takim tjetër është caktuar për të enjten.

Zëdhënësi i LDKsë, Besian Mustafa, ka thënë se nga ky takim nuk ka asgjë të re. Por, shefi i tij Isa Mustafa ka thënë pa precizuar ka bërë të ditur se ka lëvizje në drejtim të arritjes së marrëveshjes.

 

17:03

Ende pa rezultat nga takimi Kurti-Mustafa

Krerët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ende janë në takimin e nisur pas orës 15:00.

Ende nuk dihet çfarë është diskutuar deri tash në takimin e sotëm. Rezultat nuk ka edhe në ditën e dytë të negociatave.

15:06

Pas pak nis takimi Kurti-Mustafa, kryetari i VV-së thotë “së shpejti do të ketë marrëveshje”

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, bashkë me Vjosa Osmanin, Agim Veliun e Lutfi Hazirin kanë arritur ne Kuvendin e Kosovës për t’u takuar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Ata po synojnë arritjen e një marrëveshje që do të rezultonte me krijimin e një koalicioni që do të drejtonte qeverinë e re të Kosovës.

Krerët e dy partive që morën më së shumti përkrahje qytetare në zgjedhjet e fundit në Kosovë, janë takuar edhe dje, ku bashkë kanë biseduar për më shumë se tre orë, por që as atëherë nuk dolën me një marrëveshje përfundimtare. Madje, as nuk u deklaruan për media.

Pak para takimit, Kurti potencoi se bisedimet kanë rifilluar dhe së shpejti do të ketë marrëveshje.

"Nuk varet vetëm nga unë, vullneti ekziston, mundësitë janë dhe shpresoj që tash pasi kanë rifilluar bisedimet do të shkojmë në shpejtësi drejt marrëveshjes", ka thënë Kurti, përcjell KTV.

13:30

Takimi Kurti-Mustafa sot në orën 15

Nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje tashmë veç është larguar kryetari Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se është nisur për në ambientet e Kuvendit të Kosovës, për t’u takuar me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën.

Takimi pritet të nisë pas pak, derisa Grupi Koha do t'ju mbajë të informuar për detajet rreth takimit.


Është shtyrë takimi mes kreut të Vetëvendosjes e atij të LDK-së.

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, i paraparë që të mbahet në orën 14:00, siç mëson KTV-ja, është shtyrë për në orën 15:00.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Vetëvendosjes, përmes një kumtese për media u bë e ditur se bisedimet mes partive janë intensifikuar.

“Ndërkohë kanë rifilluar bisedimet me drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, u tha në njoftimin për media.