21:24

Haziri nuk e mohon se pozita e kryetarit të Kuvendit është pjesë e bisedimeve me VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar që ai ka insistuar që të hapet çështja e pozitës së kryetarit të Kuvendit, por nuk e ka mohuar që kjo pozitë është pjesë e bisedimeve me Vetëvendosjen.

“Ne në këto pozita jemi duke biseduar këto dy ditët e fundit. Nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk mundem me thënë diçka që nuk është pjesë e imja të diskutojë”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se nuk ka opsion tjetër për LDK-në pos votës blanko pë Vetëvendosjen ose shkuarjes në opozitë.

Haziri në Rubikon thotë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.

“Kurti është lider dhe e ka kapacitetin e përfaqësimit të tij, por zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ne jemi të interesuar të kemi qeveri stabile dhe të mos e bllokojmë vendin”, ka thënë ai.

“Jemi në ditët e fundit të arritjes së marrëveshjes, por nuk kam ide se kur do të mbyllet marrëveshja”, ka thënë ai.

Ai thotë se videoadresimi i Kurtit nuk është formë që e ka mirëpritur LDK-ja në kohën kur ishin në bisedime.

Sipas tij, komunikimi në formë të tillë nuk është i pëlqyeshëm, por se VV-ja është sqaruar lidhur me të.

Haziri ka thënë se brenda LDK-së nuk kanë filluar të flasin për emrat të cilat do të udhëheqin me ministritë, pasi sipas tij, fillimisht duhet të arrihet marrëveshja me VV-në.

21:11

Haziri: S’do të jem kandidat për president

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka përjashtuar mundësinë që të jetë kandidat për president të Kosovës.

Ai thotë se tashmë bisedimet me Vetëvendosjen janë të përditshme.

“Kemi biseduar gjatë gjithë kohës. Ne jemi duke diskutuar opsione konkrete, propozimet janë nga të dyja palët, e marrëveshja arrihet si të pajtohen Kurti e Mustafa. Mund të ketë takime në çdo kohë. Takime do të ketë. Ne kemi filluar me takimet javore, e pastaj ditore. Veprimet e njëanshme kanë shkaktuar rrethana të reja dhe na ka detyruar të kthehemi prapa për të diskutuar në struktura. Ne jemi unik në këtë”, u shpreh Haziri.

Haziri thotë se nuk kanë rëndësi për të zërat se PDK-ja ka ndikim në të, pasi thekson se gjithmonë ka përfaqësuar LDK-në dhe është i interesuar për një marrëveshje me Vetëvendosjen.

“Jam i prirë të besoj atë që shoh e atë dëgjoj në takime, për mua nuk përfaqësojnë asgjë ata që qojnë mesazhe të tjera. Ata e dinë më saktë se unë përfaqësoj LDK-në. Mos të isha i painteresuar atëherë nuk do të shkoja në takime fare dhe do të thosha se nuk jam i interesuar për këtë marrëveshje”, ka thënë Haziri.

Ai ka mohuar përplasjet brenda LDK-së, derisa thotë se ato janë të gjitha spekulative, derisa thekson se s’ka asnjë raport me presidentin Hashim Thaçin, përveç atë institucional.

“Ne mbështesim Isa Mustafën në parime të njëjta. Asnjë mospajtim nuk ka qenë, të gjitha janë spekulative, e kjo nuk është hera e parë për neve. Unë jam institucionalist, e unë kam komunikuar zyrtarisht me të gjithë përfaqësues të institucioineve. E edhe Kurtit do ia përdorin fotografinë me Thaçin. Unë kam komunikuar me opozitën, që ka qenë PDK-ja, në emër të institucioneve. Në asnjë mënyrë nuk kam raporte tjera me Thaçin përveç atyre institucionale, të gjithë janë rivalë. Edhe Kurti ka qenë rival i LDK-së. Me vet faktin se kemi nisur bisedimet (me Vetëvendosjen) nuk do të thotë se kemi harruar, por kjo nuk ka qenë barrierë”, u shpreh ai.

Ai ka thënë sërish se, “Qeveria e PDK-së ka qenë qeveri e ‘Guns and Roses’”. Derisa ka kujtuar se edhe Vetëvendosje ishte ajo që kishte votuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Haziri ka përjashtuar mundësinë të jetë kandidat për president.

“Nuk është në kulturën tonë të bëjmë propozime tash për presidentin. Nuk mund të lakojmë asnjë emër. Unë nuk do të jem kandidat për president, e nëse më pyetni edhe në mars do t’u them jo. Gjithçka që vjen me votë qytetare do të jem kandidat, por asnjëherë ndryshe”, u shpreh Haziri.

Sipas tij LDK-ja ende është e lënduar nga ndarja e vitit 2006.

“Gjithmonë jam ithtar i marrëveshjes politike. Deri tash LDK-ja është treguar e suksesshme. Ende LDK-ja është e lënduar nga ndarja në vitin 2006. Osmani e ka maksimalizuar rezultatin, përkundër që kemi pritur të fitojmë zgjedhjet. Por, mund të cilësohet si fitore”, ka thënë Haziri.

20:56

Haziri: Pa LDK-në nuk ka zgjedhje as zgjidhje, nuk duam e as nuk japim më shumë se sa na takon

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se bisedimet kanë të bëjnë me modalitetin dhe mënyrën për të mbyllur pakon e marrëveshjes për pozicionet mes dy partive.

Ai thotë se nëse nuk përfaqësohen si duhet në marrëveshje, çmimin do ta paguajë LDK-ja.

Haziri thotë se nuk duan as të marrin e as të japin më shumë se sa ju takon.

Sipas tij, pa LDK-në nuk ka as zgjidhje as zgjedhje në këtë vend.

“Mandat pa shumicë relative nuk është mirë ta marrë askush, nuk e merr as Kurti. Ne po shpresojmë që e kemi çliruar pengun. Nuk është aq e lehtë arritja e marrëveshjes. Edhe për ne është bërë e tepërt. Nuk ka munguar vullneti politik i LDK-së me arrit marrëveshjen. Ne kemi eleminuar edhe opsionin e zgjedhjeve, ka kapacitet dhe vullnet për me arrit marrëveshjen”, ka thënë ai.

Sipas tij, përderisa nuk ka një marrëveshje duhet të pasur durim.

Situatën aktuale ai e quan jetë të demokracisë.

“Ne po presim që lideri i VV-së ta thërras liderin e LDK-së me ofertu dhe me mbyll pjesën e fundit”, ka thënë ai.

Duke folur për deklaratat e tij se nuk lejojnë bluarjen e LDK-së nga Vetëvendosje, ai ka thënë se është nisur nga përvoja që kjo parti ka pasur me partitë tjera me të cilat kanë bashkqeverisur.

“Duke pasur përvojën edhe nga partitë tjera, ne kemi dhënë gjithmonë më shumë se sa të tjerët për interes të vendit e që na ka kushtuar jashtëzakonisht shumë. Ajo që LDK-ja e ka pësuar gjatë viteve të qeverisjes është çmimi i tolerancës dhe kompromiseve politike”, ka thënë ai.

Haziri ka shtuar se LDK-ja është goditur nga përçarja e vet. Sipas tij, mënyre se si u përça VV-ja dhe ajo si u përça LDK-ja kanë dallim.

Ai tutje ka thënë fjalë të mira edhe liderin e VV-së me të cilin planifikojnë bashkëqeverisjen.

Haziri ka thënë se pa Albin Kurtin Vetëvendosje nuk do të kishte qenë fare.

“Të gjitha sondazhet kanë treguar që ka qenë shumë i popullarizuar. Ai ka arritur që ta ngrisë partinë për 7.2 për qind për katër javë", ka thënë ai.

Hazi ka theksuar se secili duhet të trajtohet sipas peshës politike që ka.

"Bluarja është kur nuk trajtohesh në peshën politike që e ke dhe fillon me shkaktu pakënaqësi tek strukturat e tua. Mënyra se si e bën qeverisjen dhe si e plason ajo shkakton gërryerje. Mesazhi ka qenë që të harrohet politika e PDK-së, e cila ka qenë që t’i qëndrojnë afër LDK-së e ta bluajnë atë”, ka thënë ai.

20:38

Haziri: Marrëveshja nuk është punë e kryer, pozita e presidentit ishte për të shmangur krizën politike

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk është kryer marrëveshja me Vetëvendosjen, derisa ka theksuar se çështja e presidentit ishte për të shmangur një krizë politike.

Ai ka thënë se tani çështja e kryetarit të Kuvendit është problem, derisa thekson se duhet të sqarohen të gjitha çështjet deri në fund në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale.

“Krejt këto parime që i kemi vendosur vet ndoshta i japin vështirësi bisedimeve pasi nuk kemi opsione të tjera (për të bërë koalicion me të tjera parti). Kryetari i Kuvendit është problem. Në nivel ekzekutiv duhet të sqarohen deri në fund. Sikur të mund të arrinim deri të një zgjidhje finale. Ne jemi duke vazhduar të trajtojmë çështje tjera që janë në vijën e njëjtë me përgjegjësitë që kemi”, ka thënë Haziri.

Ai thotë se çështja e presidentit mund të jetë problem në marsin e vitit të arshshëm, pasi potencialisht edhe mund të shkohet në zgjedhje.

“Pesë javë na kanë mbajtur për çështjen e presidentit. Ne po tentojmë të sqarojmë me i zbardhë të gjitha përgjegjësitë tona, në mënyrë që të dytë partitë politike në partneritet të plotë. Është shumë e rëndësishme se kush kanë me qenë implementues. Në mars të vitit të ardhshëm ose duhet me e zgjidh presidentin, ose e merr opozita, ose shkojmë në zgjedhje”, thotë Haziri.

Ai thotë se derisa nuk ka marrëveshje finale atëherë nuk vlen asnjë marrëveshje e deritanishme.

“Përveç që nuk është përfunduar marrëveshja, në parim jemi pajtuar. Përderisa nuk ka marrëveshje finale nuk vlen asnjë pjesë e marrëveshjes. Ne e kemi votuar kreun e Kuvendit, pse duhet ta komentojmë një votë që LDK-ja e ka kryer. Ajo është kryer njëanshëm dhe pamarrëveshje. Tash partnerët nuk mund të kenë implementim të njëanshëm të marrëveshjes pa dokument. Marrëveshja nuk është punë e kryer. Është kryer një punë e procesit, mandej Kuvendi e ka punën për të zgjedhë Qeverinë”, u shpreh Haziri.

Haziri insiston se tani LDK-ja nuk e ka asnjë pozitë të rëndësishme, pasi LDK-ja ka marrë kryeparlamentarin dhe kryeministrin. Ai thekson se LDK-ja nuk është trampolinë për partitë e tjera.

“Dy pozitat kryesore i ka VV-ja, e LDK-ja nuk e ka asnjë pozitë. Deri tash jemi duke biseduar, e tash nuk guxoj të paragjykoj rezultatin e bisedimeve. Nuk ka kundërshpërblim, por palët duhet të jenë të barabarta. Nuk mund të jem shumë detaje pasi jemi në vlugun e krejt opsioneve. Ata e dinë saktë se çfarë ne duam dhe është raport i të dy palëve. Qëllimi i parë ishte me e shmang një krizë politike dhe e dyta për të shmangë një kandidatë të tretë për postin e presidentit. Është e papranueshme që të jemi trampolinë për partitë politike”, ka thënë Haziri.

20:24

Haziri: LDK-ja nuk kërkoi asnjëherë më shumë se pesë ministri, jemi në hapin e fundit të marrëveshjes me VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë se pas 26 dhjetorit është prodhuar situat e re për negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haziri ka shtuar se edhe pse kryetari i Kuvendit doli nga Lëvizja Vetëvendosje, programi dhe bisedimet me VV-në nuk janë rikthyer në pikën zero.

Ai tutje në Rubikon të KTV-së ka shtuar se LDK-ja nuk ka kërkuar asnjëherë t’i ketë më shumë se 5 ministri.

“Programi qeverisës është harmonizuar dhe nuk ka nevojë të rikthehet. Edhe struktura është e përfunduar. Është spekulative çështja e rritjes së numrit të ministrive. Parimisht është ndarje e qeverisë ku ne si LDK kemi thënë që kryeministri i takon atij që del fitues në zgjedhje. Kurti ka propozuar që të ketë dy zëvendësministra dhe ne jemi pajtu, 5-5 janë ministritë. Ne në asnjë takim nuk e kemi kërkuar që të kemi më shumë se 5 ministri”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se tashmë po pritet të ndodhë hapi i fundit sa i përket marrëveshjes, ndonëse shton se një gjë e tillë nuk është e lehtë.

Haziri thotë se këto tri ditë kanë qenë të frytshme.

“Përderisa jemi në bisedime ne jemi dakorduar që të flasim për të gjitha temat në bisedime. Ne e kemi mbështetur idenë që qeveria të bëhet pa ndërmjetësues ndërkombëtarë. Ky është ambient i cili po punohet”, ka thënë ai.

“Konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje dhe me votën e LDK-së, ne kemi tregu qartë se jemi lojal karrshi marrëveshjes. Kjo rrethanë e re kërkon angazhim të ri. Gjithçka që është në tavolinë, duhet të bisedojmë që mos me pas pengesa të reja", ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se LDK-ja nuk pranon me hy asnjë koalicion tjetër dhe si partner të vetëm e shohim VV-në.