Djali i Isni Kilajt emërohet konsull i përgjithshëm në konsullatën që nuk ekziston

Berisha: Praktikë e pazakontë, hapja e konsullatave në qytetet ku Kosova i ka ambasadat

Besnik Krasniqi 14 January 2020 07:12
12:42

Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka thënë të mos jetë praktikë e zakonshme politike që shtetet të hapin Konsullatat e Përgjithshme nëpër qytete ku veç është funksional misioni diplomatik. Sipas tij, në rastin e hapjes së misioneve konsullore në shtetin ku veçse ekziston një mision diplomatik, kjo zakonisht bëhet në një qytet tjetër, në mënyrë që dy misionet të kenë një ndarje gjeografike në shtetin ku operojnë.

“Pra, kur misioni ekzistues ka vështirësi në mbulueshmërinë e të gjithë territorit e shtetit, hapja e një misioni të ri konsullor mundëson komunikim dhe qasje më të lehtë në shërbime për një pjesë të qytetarëve që jetojnë në atë shtet”, i ka thënë Berisha gazetës “Koha Ditore”. “Kosova ka më shumë se një rast me Konsullatë të Përgjithshme brenda kryeqyteteve ku paraprakisht ka pasur mision diplomatik dhe do të ishte interesante të dëgjohet se cila ka qenë logjika prapa këtyre vendimeve, thënë shkurt pse shërbimet konsullore nuk kanë mundur të ofrohen brenda misionit ekzistues? Nuk është shenjë e mirë për një shtet të ketë dy shefa të misioneve brenda të njëjtit qytet, mbi të gjitha duhet pasur parasysh se hapja e një misioni të ri imponon kosto shtesë në buxhetin e shtetit”.

Gazeta ka raportuar në numrin e sotëm se Blendi Kilaj është caktuar konsull i përgjithshëm në Konsullatën në Lubjanë, e cila ende nuk është konsoliduar. Burime të gazetës kanë thënë se prej kohësh Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarrë veprime për themelimin e këtij misioni dhe se kërkesën për të ia ka deponuar edhe autoriteteve sllovene, por se ende nuk ka marrë një përgjigje. Sipas këtyre burimeve, nuk është në frymën as të Konventës së Vjenës për marrëdhënie konsullore, e as të asaj për marrëdhënie diplomatike që në qytetin ku është e vendosur ambasada, të hapet edhe konsullatë.

Një praktikë të këtillë Kosova tashmë e ka aplikuar edhe në Tiranë, ku krahas ambasadës që ofron edhe shërbime konsullore, ka ngritur edhe konsullatë. Mbështetur në një pasqyrë që tregon hyrje-daljet në llogarinë bankare të misionit në kryeqytetin e Shqipërisë, të hyrat për një vit nga shërbimet konsullore ishin vetëm 2,400 euro, ndërkaq si transfere nga Thesari figurojnë 52,928.63 euro. E, një burim ka treguar se, “nëse në një konsullatë në perëndim kemi deri 150-200 aplikime për viza në ditë, në Tiranë nga 4 deri në 15 aplikime për viza në tërë muajin”.

07:12

Djali i Isni Kilajt emërohet konsull i përgjithshëm në konsullatën që nuk ekziston

Blendi Kilaj është bërë dëshmitari i parë i jetësimit të një prej premtimeve që, më 12 shtator, babai i tij, që është zëvendësministër i Diasporës, Isni Kilaj, e kishte dhënë për elektoratin e Partisë Demokratike (PDK), shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm nëntë ditë pas zotimit të të atit për “realizim ëndrrash”, ai do të propozohej për konsull të përgjithshëm, e më vonë edhe do të emërohej, me dekret, ani se konsullata ku është caktuar nuk ekziston.

“Tani bashkë me ju e kemi një luftë demokratike që duhet ta fitojmë patjetër dhe këtë luftë pa dyshim që do e fitojmë nëse ju na jepni besimin me votën tuaj”, kishte shkruar zëvendësministri Kilaj, përmbajtje kjo që ishte shpërndarë nga Blendi në Facebook. “Ju premtoj që unë do të jem zë shumë i fuqishëm dhe do të bëj punë të palodhur vetëm e vetëm që ëndrrat dhe shpresat e juaja për një Kosovë të zhvilluar e Demokratike të realizohen”.

Zëvendësministri, i cili është një eksponent i moçëm i PDK-së në Malishevë, në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në tetor, ka mundur të marrë 5270 vota, e që nuk ishin të mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ai vazhdon ta mbajë postin e zëvendësministrit të Diasporës, ndërkaq poste zëvendësministri ka pasur edhe në dikastere të tjera qeveritare. Ka qenë edhe kryetar i Komunës së Malishevës dhe aktualisht është edhe kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë.

Blendi Kilaj ia ka konfirmuar gazetës se më 21 shtator të 2019-s është propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, si konsull i përgjithshëm në Lubjanë. Në bazë të propozimit, presidenti Hashim Thaçi ka nxjerrë dekret për emërim. PDK-në, zyrtar i së cilës është babai i konsullit të përgjithshëm, e ka drejtuar Thaçi që nga themelimi i këtij subjekti politik menjëherë pas luftës, e derisa është bërë president.

“Absolutisht nuk qëndron pretendimi juaj, që ka ndikuar pozicioni publik i prindit tim për t’u emëruar unë si konsull i përgjithshëm në Slloveni”, ka thënë Blendi Kilaj. “Unë kam përgatitjen e lartë profesionale dhe përvojën e duhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hajra17/01/2020 14:56

Deri kur do të e durojmë këte banditizëm të këtyre injorantve që nuk kanë as fe as atdhe?

sabiti17/01/2020 14:57

Kam degjuar nga nje staf i ambasades se Austrise ne Bullgari se ambasada e Kosoves ne Sofje ka me shume te punesuar se ambasada e Kines ne Sofje! Te forte jemi ne!

Jetmir.XH17/01/2020 14:59

As me pak e poashtu e as me shum kjo nuk eshte dicka tjeter se qesharake per (Kosoven e lir dhe te pavarur).

Shto koment

Të ngjashme